Rexhbeçaj i mbetet besnik ekipit që ia mundësoi Bundesligën

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori kosovar, Elvis Rexhbeçaj, i ka qëndruar besnik klubit gjerman që ia ka dhënë rastin të depërtojë në skenën e madhe të futbollit.

Rexhbeçaj 21-vjeçar, të hënën, ka vazhduar edhe për tre vjet kontratën me skuadrën e njohur të Bundesligës gjermane, Wolfsburg. Ai kishte kontratë edhe një vit, ndërsa me kontratën e re te Wolfsburgu do të qëndrojë deri në verën e vitit 2023. Vazhdimin e kontratës me Rexhbeçajn, klubi gjerman e ka vlerësuar lajm të mirë për të gjithë tifozët, shkruan Koha Ditore.

“Elvisi është zhvilluar në vitet e fundit në mënyrë të shkëlqyeshme dhe ka bërë suksesshëm kalimin nga lojtar i ri në lojtar të Bundesligës, pa humbur fokusin në gjërat esenciale. Ai punon shumë, është shumë i uritur për të mësuar dhe ende nuk ka arritur në fund të zhvillimit të tij. Ne jemi shumë të lumtur që ai ka vazhduar me ne”, ka thënë drejtori sportiv i Wolfsburgut, Marcel Schaefer.

Rexhbeçaj këtë edicion ka luajtur në shumicën e ndeshjeve në Bundesligë, ndonëse jo gjithnjë si startues. Të shtunën kompletoi ndeshjen me Wolfsburgun, ndërsa është paraqitur gjithsej në 23 prej 32 ndeshjeve të këtij edicioni. Ai luan si mesfushor qendror, ndërsa ka kontribuar me një gol e një asistim. Në Bundesligë debutoi edicionin e kaluar kur luajti katër ndeshje. Rexhbeçaj është nga fshati Gjonaj i Prizrenit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme