Rice: Mund t’i shënojmë 3-4 gola kundër Kosovës

Prishtinë | 10 Sht 2019 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Declan Rice është optimist për Anglinë para ndeshjes kundër Kosovës.

Declan Rice ka thënë se Anglia është e vetëdijshme për kualitetet e Kosovës. Mirëpo, ai beson në forcën e skuadrës së tij dhe thotë se mund të shënojnë tre ose katër gola.

Kosova është mysafire e Anglisë sonte në duelin me fillim nga ora 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”, raporton lajmi.net.

“Do të jetë një test me të vërtetë i vështirë. Steven Holland (ndihmëstrajneri i Anglisë) na i kujtoi këtë gjë mbrëmë. Ai na tha se ata janë skuadra më në formë në Evropë”, ka thënë Rice në një intervistë të dhënë për ITV.

“Shumë prej nesh mund ta shikojnë Kosovën dhe të thonë se do të jetë ndeshje e lehtë, por ne e dimë se nuk do të jetë kështu. Do të jetë e vështirë, ata do të jenë përballë nesh dhe do t’i duan tre pikët pasi që janë menjëherë prapa nesh në grup”.

“Ne duhet të sigurohemi që dalim në fushë dhe ta bëjmë një paraqitje të mirë. Lojtarët e Kosovës duhet të jenë duke menduar se pse Bullgaria luajti në Wembley e ne po luajmë në Southampton, s’dua ta ofendoj Southamptonin, por kjo do t’i nxisë ata”.

“Ne jemi përgatitur për këtë, e dimë se do të jetë një test i vështirë, por ne e kemi cilësinë për ta mposhtur cilëndo skuadër për tri apo katër gola. Ne vetëm duhet të sigurohemi se po luajmë me vetëbesim qysh nga fillimi”.

Të ngjashme