Rifillimi i Bundesligës jep shpresë për ligat tjera

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Rifillimi i Bundesligës fundjavën e ardhshme do të jep shpresë edhe për ligat tjera evropiane për rikthim të suksesshëm, ka thënë trajneri i Schalkes, David Wagner.

Edicioni i Bundesligës gjermane do të vazhdojë më 16 maj. Kështu Bundesliga bëhet liga e parë e madhe evropiane që vazhdon pas ndërprerjes për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka prekur gati katër milionë njerëz nëpër botë.

Kampionati gjerman do të rifillojë duke iu përmbajtur një protokolli strikt mjekësor. Tifozët nuk do të lejohen në stadiume.

“Nuk është befasi. Gjermanët janë gjithnjë shumë të disiplinuar, shikojnë drejtë përpara dhe mundohen që shpejtë të gjejnë zgjidhje. Të gjithë iu përmbahen rregullave, çdo gjë në kohë, tipike për gjermanët”, ka thënë Wagner për The Times.

Wagner është mik i trajnerit të Liverpoolit, Juergen Klopp. Sipas tij Klopp ka shikuar progresin në Gjermani, ndërkohë që klubet e Premier Leagues shpresojnë të luajnë ndeshjet në qershor, pasi për këtë të jap leje qeveria.

Liverpooli është vetëm dy fitore larg titullit të parë të Anglisë në 30 vitet e fundit.

“Për këtë të gjithë shikojnë Gjermaninë dhe thonë: ‘Në rregull, nëse gjermanët mund të bëjnë këtë, ne të paktën kemi gjasa të bëjmë këtë po ashtu’. Juergeni më ka thënë pikërisht kështu”, ka shtuar Wagner.

“Të gjithë në Angli luten që Bundesliga të fillojë me sukses pasi kjo do të jetë shenjë e shpresës. Edhe nëse në Angli janë katër apo pesë javë prapa, kjo mund të bëhet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme