Rifillimi i La Ligas mundësi për yjet e harruara – Hazard e Suarez

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Kur La Liga u pezullua në muajin mars shkaku i koronavirusit, asnjëri prej tyre nuk pritej të kishte ndonjë rol për pjesën tjetër të garës për titullin e kampionit, por kur sezoni do të rifillojë të enjten, Eden Hazard dhe Luis Suarez mund të jenë vendimtarë tek ekipet e tyre për këtë trofe.

Hazard po shikonte përtej Real Madridit, në “Euro 2020”, pasi i ishte nënshtruar një operacioni në këmbën e djathtë në mars, ndërsa disa mendonin se Suarez kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për Barcelonën këtë edicion, pasi kishte bërë një operacion në gju në janar. Në vend të kësaj, të dyve u është hedhur një rrugë shpëtimi, Suarez për të ruajtur karrierën e tij te Barça dhe Hazard për ta nisur me Madridin.

Pasi Real Madridi pagoi 100 milionë euro dëmshpërblim për ta transferuar nga Chelsea vitin e kaluar, tifozët e klubit mbushën stadiumin “Santiago Bernabeu” për ta parë prezantimin e Hazardit që vlerësohej se do ta mbulonte boshllëkun e lënë nga Cristiano Ronaldo, që në vitin 2018 kaloi te Juventusi. Sidoqoftë, pyetjet u bënë shumë shpejt në lidhje me peshën e tij në fazën përgatitore derisa Hazard ka luftuar me lëndime gjatë gjithë sezonit. Sa herë që është rikthyer në fushë, Hazard kishte nevojë për kohë për të gjetur formën. Por, së fundi raportet për Hazardin janë shumë pozitive dhe këtë e ka konfirmuar edhe portieri i Realit, Thibaut Courtois, që ka shtuar se të gjithë në klub kanë mbetur të befasuar nga ritmi i mesfushorit që e ka treguar në stërvitje.

“Ne nuk mund të presim që ai të jetë në formën e lartë pa luajtur, por Hazard ka dhënë sinjale se do të jetë në formë të mirë kur do të rifillojnë ndeshjet. Do të na ndihmojë shumë në luftën për titullin”, ka thënë Courtois.

Të ngjashme