Rikuperimi i plotë i Messit, lehtësim për Barcelonën

Prishtinë | 04 Tet 2019 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi i tregoi se sa i ka munguar Barcelonës pas lëndimeve të tij të përsëritura këtë edicion, kur të mërkurën mbrëma bëri një asistim mahnitës dhe vendimtar në fitoren ndaj Interit (2:1) për fitoren e parë këtë edicion në Ligën e Kampionëve.

Për Messin kjo ishte paraqitja e dytë si titullar këtë edicion në të gjitha garat, por i ndihmoi Barcelonës ta sigurojë fitoren kur në minutën e 84-t asistoi për Luis Suarezin, që realizoi golin e dytë ndaj Interit. Në total, Messi deri më tani ka katër ndeshje (dy në La Liga, dy në Champions), duke dhënë katër asistime. Por paraqitja e Messit ndaj Interit është sinjal se Barcelona tash e tutje nuk do të ketë më krizë të rezultateve, shkruan sot Koha Ditore.

“Messi edhe një herë dëshmoi se sa i rëndësishëm është për ekipin tonë. Jam shumë i lumtur që është rikuperuar dhe shpresoj që të mos ketë telashe më këtë edicion, pasi i duhet shumë ekipit”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.

Vetë Messi pas ndeshjes me Interin ka thënë se është i lumtur që ishte në gjendje të luante për 90 minuta, por ka thënë se i mungon ende përgatitja fizike. Ai ka paralajmëruar se me kalimin e kohës do të jetë në formën e tij më të mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme