Rinisja e Premierligës më 12 qershor vlerësohet e pamundur

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i Watfordit, Christian Kabasele, thotë se do të jetë e pamundur që sezoni 2019/20 i Premierligës të rinisë më 12 qershor, përkundër që kjo datë është përmendur si opsioni më i mundur në mediat britanike.

Liga elitare e futbollit në Angli ka qenë e pezulluar që nga gjysma e muajit mars, mirëpo drejtori ekzekutiv i Premierligës, Richard Masters, ka insistuar se ndeshjet do të mundë të rinisin muajin e ardhshëm.

Megjithatë, Kabasele beson se do të jetë e pamundur të rinisë sezoni më 12 qershor, pasi që thotë se kjo datë është më afër sesa që duhet dhe se rinisja në këtë datë do ta rrezikonte shëndetin e lojtarëve, të cilat nga kjo javë janë lejuar të stërviten në grupe të vogla.

“Ne po e shohim se po flitet për 12 qershorin. Mendoj se është e pamundur sepse deri në atë datë ne do t’i kemi më pak se tre javë stërvitje, pas një periudhë të gjatë duke mos bërë asgjë. Kjo është e rrezikshme për ne”, ka thënë 29-vjeçari.

“Nuk jam i sigurt, nuk kam asnjë informatë, por mendoj se nuk do ta rinisim kampionatin më 12 qershor. Opsioni më i qartë për mua është të rinisë sezoni në fund të qershorit. Në këtë mënyrë ne do të kemi mundësi të stërvitemi për të paktën katër javë”.

“Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Për momentin ka një pikëpyetje të madhe mbi këtë datë për mua”.

Të ngjashme