Rivaldo: Edhe nëse s’fiton tituj, Messi e meriton Topin e Artë këtë vit

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Ish-sulmuesi brazilian, Rivaldo, beson se Lionel Messi tashmë e meriton ta fitojë Topin e Artë të gjashtë, pavarësisht se a triumfon në Ligën e Kampionëve me Barcelonën apo jo.

Barcelona e Lionel Messit mbetet në garë për titullin e kampionit evropian, pasi e eliminoi Manchester Unitedin në kuadër të çerekfinaleve. Katalonasit janë në rrugë të mirë për ta fituar titullin e La Ligës, si dhe janë në finale të Kupës së Mbretit.

Argjentinasi, i cili ka shkëlqyer këtë sezon, me 45 gola dhe 21 asiste në vetëm 42 ndeshje të zhvilluara, do të ishte edhe më favorit për ta fituar Topin e Artë këtë vit, mirëpo Rivaldo beson se argjentinasi veçse ka bërë mjaftueshëm për ta marrë këtë çmim.

“Është e pamundur ta përshkruaj Messin. Ai më pëlqen shumë dhe unë gjithmonë tregoj se sa i mërzitur ndihem që ai nuk e ka fituar titullin e Kupës së Botës me Argjentinën. Ai e meriton këtë çmim sepse një lojtar si ai duhet të jetë kampion botë”, është shprehur Rivaldo.

“Ai po shënon gola, po bën asiste, është golashënuesi më i mirë në La Liga tash e një kohë të gjatë dhe mendoj se gjërat që ka qenë duke i bërë në Ligën e Kampionëve meritojnë të shpërblehen”.

“Ai e pati mundësinë ta shënonte një gol akrobatik kundër Manchester Unitedit, mirëpo nuk është e lehtë të shënosh gola të tilla sepse janë shumë të rralla në ndeshje. Ishte një goditje e mirë, por nuk e arriti qëllimin”.

“Edhe nëse nuk e fiton titullin e Ligës së Kampionëve, ai e meriton Topin e Artë”.

Fakti që Lionel Messi kishte mbetur vetëm i pesti në garën për Topin e Artë vitin e kaluar kishte ngjallur një debat të madh. Tani, argjentinasi konsiderohet favorit për ta fituar këtë çmim këtë vit.

Jo vetëm se Messi pritet ta fitojë Topin e Artë për të gjashtën herë – duke e lënë Cristiano Ronaldos pas vetes me pesë Topa të Artë – tifozët e kanë vërejtur që ai është i vetmi nga lojtarët e top pesëshes së Topit të Artë që është ende në garë për këtë çmim.

Luka Modrici e kishte fituar këtë çmim vitin e kaluar dhe ai u eliminua në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Real Madridi u trondit në “Stamford Bridge” nga Ajaxi, që fitoi me rezultat 4:1.

Cristiano Ronaldo ishte renditur i dyti në atë listë, mirëpo as ai nuk arriti të kualifikohet për fazën gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, për herë të parë që nga sezoni 2009/10. Juventusi u eliminua të martën nga kjo garë, në përballjen me Ajaxin.

I treti në garën për Topin e Artë të vitit të kaluar, Antoine Griezmann, e pati një fat të ngjashëm me Modricin dhe u eliminua në fazën e 1/8 të finales, pas përballjes me Juventusin e Ronaldos, i cili shënoi het-trik për ta mposhtur ish-rivalin e tij, sa ishte lojtar i Real Madridit.

Edhe Kylian Mbappe, i cili ishte renditur i katërti me vota për Top të Artë, u eliminua në këtë fazë, kur pësoi disfatë tronditëse nga Manchester Unitedi.

Edhe pse u rendit vetëm i pesti në këtë garë, Messi ka arritur ta dëshmojë këtë sezon se e meriton një renditje më të mirë. Deri më tani, ai i ka shënuar 45 gola dhe i ka asistuar 21 të tjera në 42 ndeshjet e këtij sezoni, duke e siguruar kështu një vend në gjysmëfinale. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme