Ronaldinho insiston në pafajësi

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Ronaldinho ka folur hapur për herë të parë për periudhën e kaluar në burg dhe se si e kaloi kohën duke luajtur futboll, e dhënë autografe.

Legjenda e futbollit thotë se po lutet për një zgjidhje të shpejtë të skandalit të pasaportave fals. Ai dhe vëllai i vet ishin kapur me pasaportë fals në Paraguai, dhe momentalisht të dy janë duke vazhduar dënimin në burg shtëpiak, në një hotel në shtetin e Amerikës Jugore.

Ronaldinho 40-vjeçar, ish-lojtar i Barcelonës e Milanit, ka thënë se gjëja e parë që do të bëjë pasi të lirohet, është të përqafojë nënën e tij Miguelinan.

Ronaldinho pranon se kurrë nuk ka mundur të imagjinojë se do ta gjente veten në një situatë të tillë. Ai ka folur në një intervistë ekskluzive për “ABC Color” të Paraguait.

Duke insistuar se nuk ia kishte idenë se pasaportat paraguaiane që iu dhanë atij dhe vëllait të tij më 4 mars ishin fals, ai ka shtuar: “Ne ishim totalisht të shtangur kur kuptuam se dokumentet nuk janë të rregullta. Nga ai moment synimi ynë ka qenë të bashkëpunojmë me gjykatat për të qartësuar gjërat”.

Në një intervistë nga hoteli “Palmaroga”, ku është duke vuajtur burgun shtëpiak që nga 7 prilli, ai ka thënë: “Unë kam besim. Gjithmonë lutem që gjërat të rregullohen, dhe nëse Zoti do kjo do të përfundojë kjo së shpejti. Më goditi rëndë kur kuptova se do të shkoja në burg. Kurrë nuk kam menduar se do të jem në situatë të tillë. Gjithë jetën jam munduar të arrijë profesionalisht nivelin më të lartë dhe të sjell lumturi te njerëzit me futbollin tim”.

Ronaldinho dukej i qetë gjatë intervistës me tre gazetarë të “ABC Color”.

Intervista ishte aranzhuar nëpërmjet avokatëve mbrojtës të futbollistit.

Disa nga pyetjet prekën majat e karrierës së futbollistit brazilian, por në mënyrë të paevitueshme të tjerat ishin për problemet aktuale ligjore.

Ronaldinho ka konfirmuar se ai kishte udhëtuar në Paraguai me vëllanë e tij Roberto de Assis Moreira për të marrë pjesë në hapjen e një kazinoje online dhe publikimin e një libri.

Ai ka treguar se të burgosurit, me të cilët ishte parë duke luajtur futboll dhe footvolley, e kanë trajtuar mirë.

Ai ka insistuar se ishte i lumtur të jepte autografe dhe të pozonte me personat që i takoi në burg.

“Futbolli, dhënia e autografeve dhe pozimi për foto ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Nuk kisha arsye për të ndalur këtë, veçanërisht me njerëzit që po përjetonin periudhë të vështirë si unë”, ka thënë Ronaldinho.

Ndërsa ai ka treguar edhe për planet që i ka pasi të lirohet.

“Gjëja e parë që do të bëj është t’i jap një përqafim të madh nënës. Ajo ka përjetuar kohë të vështirë që nga fillimi i krizës së koronavirusit. Pas kësaj do të absorboj ndikimin që kjo situatë ka pasur dhe do të vazhdoj me besim e forcë”, ka shtuar ish-futbollisti më i mirë në botë.

Ronaldinho dhe vëllai i tij ishin arrestuar më 6 mars me t’u futur në Paraguai me pasaporta false të këtij shteti.

Po vazhdojnë hetimet ndaj rastit dhe autoritetet janë duke hetuar nëse skandali i pasaportave false, që ka çuar te një numër i arrestimeve, përfshirë edhe të një biznesmeni brazilian që dyshohet se u ka dhënë dokumentet Ronaldinhos dhe vëllait të tij, është lidhur me një tentim të operacionit të pastrimit të parave.

Ronaldinho është paralajmëruar se mund të mbetet në arrest shtëpiak për disa muaj para se të merret një vendim nëse do të gjykohet.

Braziliani ka mbushur 40 vjet muajin e kaluar, ndërsa e festoi ditëlindjen në burg me të burgosurit e tjerë.

Krimi për të cilin po hetohet mund të çojë te një dënim maksimal me burg deri në pesë vjet.

Ronaldinho dhe vëllai i tij insistojnë se janë mashtruar.

Avokati i tyre Adolfo Marin thotë se futbollistit i ishte dhënë pasaporta si dhuratë, duke vlerësuar se ishte një tip dokumenti i nderit pa vlerë të vërtetë. Por, ai kishte nxjerrë pasaportën për t’ua treguar autoriteteve pa dashje, pasi ishte gjëja e parë që e kapi nga çanta e tij.

Muajin e kaluar avokati e quajti Ronaldinhon budalla se nuk e kishte kuptuar se i ishin dhënë dokumente fals për të hyrë në Paraguai.

Ronaldinho është përkujdesur për skandale të ndryshme jashtë fushe, që kur arriti kulmin në futboll.

Ai është pensionuar në vitin 2018. Në vitin e njëjtë u detyrua të mohonte akuzat për bigami.

Atij i ishte konfiskuar pasaporta braziliane, pasi u dënua së bashku me vëllain e tij për ndërtim ilegal, por prokurorët paraguaian muajin e kaluar konfirmuan se Ronaldinhos i ishte kthyer pasaporta dhe e kishte përdorur atë për t’u larguar nga Sao Paulo gjatë fluturimit për në Paraguai.

Por, kjo ka ngritur pyetje të shumta për arsyen që e shtynë Ronaldinhon të mos e përdorte pasaportën e njëjtë edhe në hyrjen e tij në Paraguai.

Komentet e avokatit të tij, se pasaporta paraguaiane ishte gjëja e parë që i ra në dorë, u pritën me dozë mosbesimi.

Vitin e kaluar është raportuar se Ronaldinho kishte vetëm rreth 7 dollarë në llogarinë e tij.

Policia kishte bastisur shtëpinë e familjes së Ronaldinhos duke konfiskuar gjërat me vlerë, në tentim për të garantuar pagesën e gjobës që i është shqiptuar për ndërtimin ilegal në një liqen.

Zyrtarët në Brazil në nëntor të vitit të kaluar kanë treguar se i kanë konfiskuar brazilianit tri vetura luksoze dhe një vepër arti të piktorit Andre Berardo.

Vëllai i Ronaldinhos në vitin 2012 ishte dënuar me burg me kusht prej pesë vjet në Brazil, për pastrim të parave dhe krime të tjera financiare.

Në atë kohë raportohej se Roberto de Assis është akuzuar për gënjim të autoriteteve tatimore braziliane dhe se paratë po mbahen në xhirollogari sekrete në Zvicër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme