Ronaldinho më në fund i lirë, pas pesë muajve në arrest shtëpiak

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Ronaldinho është i lirë të kthehet në atdheun e vet, Brazil, pas pesë muajve të kaluar në arrest shtëpiak në Paraguai bashkë me vëllain e vet, Roberto Assis.

Dyshja u arrestua në Paraguai në fillim të marsit për përdorim të pasaportave të rreme për t’u futur në këtë shtet, transmeton Gazeta Express.

Në muajin prill, ata u liruan nga burgu pasi avokatët e tyre i paguan 1.5 milionë euro garanci në emër të tyre, dhe u vendosën në arrest shtëpiak në një hotel në Asuncion në pritje të gjykimit.

Ronaldinho dhe vëllai i tij rrezikonin t’i kalonin pesë vjet prapa grilave, nëse do të shpalleshin fajtorë.

Por ata arritën marrëveshje me gjykatën dhe të dy u deklaruan të fajshëm për hyrje të jashtëligjshme në Paraguai.

Ronaldinho e ka paguar një gjobë prej rreth 100 mijë euro, ndërsa Assis është gjobitur me 115 mijë euro.

Derisa Assis do të ketë histori kriminale në Paraguai, Ronaldinho jo.

Assis e ka të ndaluar të largohet nga Brazili për dy vjet.

Ndërsa Ronaldinho, ish ylli i Barcelonës, Milanit dhe PSG-së, është i lirë të kthehet në Brazil dhe nuk e ka të ndaluar udhëtimin në vendet e tjera përderisa i njofton autoritetet braziliane se sa gjatë do të qëndrojë jashtë vendit. 

Të ngjashme