Ronaldo: Ky titull i kushtohet të gjithë tifozëve të Juventusit

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo ua ka kushtuar titullin e nëntë rekord të Juventusit në Serie A të gjithë tifozëve, veçanërisht atyre që janë prekur nga pandemia koronavirus.

Sulmuesi portugez e shënoi një gol, të 31-tin në total në ligë këtë sezon, në fitoren e Juves 2:0 kundër Sampdorias të dielën në Allianz Stadium, duke i ndihmuar skuadrës së Maurizo Sarrit të shpallet kampione e Italisë.

Juventusi është klubi i vetëm që i fiton nëntë tituj radhazi në top pesë ligat evropiane.

Gjiganti italian e zgjati rekordin e vet, i cilin ia pati barazuar Bayern Munich në qershor, kur e fitoi titullin e tetë radhazi në Bundesligë.

Ronaldo e humbi rastin t’i afrohet Ciro Immobiles në garë për Këpucën e Artë në Itali dhe në Evropë, i cili prin me 34 gola, pasi e humbi penalltinë duke e qëlluar transversalen në minutat e fundit të ndeshjes.

Në një shkrim në rrjetet sociale Ronaldo shkroi: “Jam i lumtur për titullin e dytë radhazi të kampionit dhe se po vazhdojmë ta ndërtojmë historinë e këtij klubi të madh dhe të shkëlqyer”.

“Ky titull i kushtohet të gjithë tifozëve të Juventusit, veçanërisht atyre të cilët kanë vuajtur dhe po vuajnë nga pandemia, e cila na ka habitur të gjithëve duke e përmbysur botën”, shtoi ai.

Të ngjashme