Ronaldo: Mirupafshim Real Madrid, mirupafshim çmime individuale

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur u konfirmua largimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi. Sulmuesi portugez iu bashkua Juventusi zyrtarisht më 11 qershor të vitit 2018, duke e lënë skuadrën e Los Blancos pa yllin dhe golashënuesin kryesor.

Që nga transferimi në Torino, Cristiano Ronaldo ka shijuar më pak triumfe në garat për çmime individuale, pasi që çmimi i vetëm i tillë që e ka fituar është lojtari më i mirë i sezonit 2018/19 në Serie A, shkruan Marca.

Topi i Artë

Topi i Artë qëndroi në Real Madrid, edhe pas largimit të Cristiano Ronaldos, pasi që Luka Modric u shpërblye me këtë çmim në vitin 2018. Ndërsa, vitin vijues, Lionel Messi u shpall fituesi, duke thyer rekord si gjashtë-herë fitues i këtij çmimi.

Çmimi The Best i FIFA-s

Pikërisht e njëjta gjë ndodhi me çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA, pasi që Modrici dhe Messi e mposhtën Ronaldon në dy vjetët e fundit. Në vitin 2019, Ronaldo nuk mbeti as në pozitën e dytë, pasi që Van Dijku i Liverpooli ia zuri atë vend.

Këpuca e Artë evropiane

Ronaldo e kishte fituar këtë çmim dy herë gjatë kohës së tij në Santiago Bernabeu (2013/14 dhe 2014/15), por me kalimin në Serie A s’ka arritur ta përsërisë këtë sukses, përderisa Messi e ka fituar këtë çmim për tre sezonet e fundit.

Golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve

Ronaldo ka më shumë gola të shënuara në histori të Championsit sesa Messi – 128 me 114 – por sezonin e kaluar ai shënoi më pak sesa argjentinasi. Ronaldo i shënoi gjashtë gola gjatë sezonit 2018/19 në Evropë, ndërsa Messi e fitoi çmimin falë 12 golave të tij.

Lojtari i Vitit në UEFA

Ronaldo e kishte fituar këtë çmim tre herë gjatë kohës sa ishte në Real Madrid, mirëpo Modrici dhe Van Dijku ia kanë marrë këtë trofe që nga largimi i tij nga Spanja.

Këpuca e Artë

Në La Liga, Ronaldo ishte golashënuesi më i mirë i sezonit tre herë. Në sezonin e tij të parë në Serie A, Fabio Quagliarella e mposhti atë, duke i shënuar 26 gola në krahasim me 21 të Ronaldos. Këtë sezon, garën e kryeson Ciro Immobile me 27 gola, ndërsa Ronaldo i ka 21 të shënuara. 

Të ngjashme