Ronaldos nuk i ulet dënimi, portugezi shfryn në rrjetet sociale

Prishtinë | 23 Gus 2017 | 10:09 | Nga

Cristiano Ronaldo humbet përfundimisht 4 javët e para të La Ligas. Gjykata sportive në Spanjë hodhi poshtë kërkesën e Realit të Madridit për uljen e dënimit të yllit portugez duke lënë në fuqi vendimin e komisionit të Disiplinës që e dënoi Ronaldon me 5 ndeshje skualifikim. CR7-ta u ndëshkua me karton të kuq në duelin e parë të Superkupës së Spanjës mes Real Madridit dhe Barcelonës, portugezi nuk e priti aspak mirë vendimin e gjyqtarit Bengoextea, duke e shtyrë këtë të fundit pasi i nxorri kartonin e dytë të verdhë për simulim.

Për këtë gjest Cristiano u dënua me 5 ndeshje skualifikim, por drejtuesit e Realit prisnin shumë që gjykata sportive të merrte parasysh kërkesën e klubit “merengues” dhe ti zvogëlohet dënimi yllit portugez.

Megjithatë gjithcka është lënë në fuqi edhe nga ky komision juridik dhe Ronaldo pasi humbi sfidën e kthimit ndaj Barcelonës në Superkupën e Spanjës dhe ndeshjen e parë në kampionat ndaj Deportivo La Corunas do të mungojë edhe 3 ndeshjet e rradhës që do të ketë Reali në La Liga, respektivisht ndaj Valencias, Levantes e Real Sociedadit.

Ronaldo nuk e priti aspak mirë vendimin e gjykatës sportive në Spanjë, pasi në profilin e tij në Instagram, postoi një foto të tijën me një koment vërtet domethënës. “Një vendim i pakuptueshëm, por padrejtësitë kurrë nuk do të më shkatërrojnë dhe si gjithmonë unë do të kthehem më i fortë, shkruan Cristiano në Instagram duke shprehur të gjithë mllefin e tij për një skualifikim që sipas CR7 është i padrejtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme