Rossi nënshkruan për dy sezone me skuadrën e Yamahas

Prishtinë | 10 Kor 2020 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Valentino Rossi do të vazhdojë karrierën e tij në Moto GP dhe 7 herë kampioni i botës në “klasin mbretëror” është shumë pranë një marrëveshjeje 2-vjeçare me ekipin satelit të Yamaha-s, Petronas. Prej kohësh flitej për një marrëveshje të mundshme ndërmjet pilotit legjendar italian dhe skuadrës kliente të Yamaha-s, sidoqoftë gjithçka rezultoi e vërtetë dhe nga sa bëhet e ditur palët kanë rënë fillimisht dakord për të firmosur për një vit, pra për sezonin e ardhshëm, megjithatë është gjetur gjuha e përbashkët për të shtuar edhe opsionin e vitit 2022.

Lajmi i shumëpritur për gjithë fansat e veteranit italian është komunikuar nga “La Gazzetta dello Sport” që ka shtuar se gjithçka do të bëhet zyrtare në Andaluzi, javën e ardhshme në pistën Angel Nieto në Jerez de la Frontera, ku do të zhvillohet pikërisht gara e parë sezonale, për sa i përket edicionit të 72-të të kampionatit botëror të motoçiklizmit.

Ëndrra e 41-vjeçarit pezarez është titulli i 10 në karrierë, kuptohet duke përfshirë përveç 7 titujve në cilindratën më të lakmuar, gjithashtu edhe trofetë e fituar në klasin 125cc e 250cc respektivisht në vitet 1997 e 1999 me Aprilia, gjithsesi për të koleksionuar titullin e parë botëror që nga viti 2009 Valentino do të ketë në dispozicion pra minimalisht edhe dy sezone, përveç edicionit aktual, që do të jetë një version i shkurtuar, me pothuajse të gjitha garat në Kontinentin e Vjetër, kryesisht në Spanjë, ku do të mbahen 7 nga 13 garat e konfirmuara, aktivitet që do të startojë më datë 19 korrik, në Krahinën Autonome të Andaluzisë.

Edhe këtë vit Doktori do të garojë me Yamaha-n zyrtare, në krah të pilotit iberik Maverick Vinales, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin botëror në Moto GP në vendin e tretë, me 37 pikë më shumë se sa Rossi, që u rendit vetëm në pozicionin e shtatë, madje i kaluar edhe nga pilotë të tillë si Danilo Petrucci, Fabio Quartararo dhe Alex Rins, për më tepër ky i fundit garon me Suzuki, ndërsa duke filluar nga viti i ardhshëm veterani italian do të garojë për skuadrën satelite të shtëpisë prodhuese nga Iwata, ekipin malajzian Petronas Yamaha SRT.

Duhet theksuar fakti që për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka ruajtur “Doktori” me krerët e shtëpisë prodhuese nga “vendi i lindjes së diellit” Valentino do të ketë privilegjin për të punuar me versionin zyrtar të Yamaha-s M1. Pikërisht “Gazzetta dello sport” ka zbuluar edhe detajet e bashkëpunimit, pra fillimisht një vit, me mundësinë e rinovimit të menjëhershëm edhe për sezonin e 2022, kur Rossi për hir të së vërtetës do të jetë i shtrënguar për të garuar në moshën 43-vjeçare, me skuadrën tjetër të Yamaha-s, që aktualisht përbëhet nga dyshja Fabio Quartararo–Franco Morbidelli.

Veterani italian nuk është se kishte shumë alternativa, sidomos pas fjalëve të drejtuesit më të lartë të Yamaha-s Zyrtare Lin Jarvis, sidoqoftë periudha e izolimit dhe masat e forta shtrënguese që u morën nga shteti italian për shkak të pandemisë së koronavirusit me sa kuptohet e kanë bërë të reflektojë 7 herë kampionin e botës në “klasin mbretëror”, në lidhje me një vendim që numri 46 kishte deklaruar se do ta merrte vetëm në muajin shtator, kështu që Valentino ka përshpejtuar gjithçka dhe fundjavën e ardhshme nga data 17 – 19 korrik pritet edhe konfirmimi përfundimtar nga vetë palët si dhe detajet e hollësishme të kontratës së tij të re.

Vendin e doktorit te Yamaha zyrtare do ta marrë nga viti i ardhshëm piloti i ri francez Fabio Quartararo, që ndonëse garonte me skuadrën satelite sezonin e shkuar u paraqit shumë më mirë se sa Rossi, madje 21-vjeçari nga Nice e mbylli edicionin e kaluar me 7 podiume, në një kohë kur Valentino regjistro vetëm dy gjithsej. Pra pavarësisht kalimit te ekipi i dytë Doktori do të ketë të njëjtin material të fabrikës apo dhe motor identik me atë që do të përdorë dyshja e konfirmuar Vinales – Quartararo.

Muajin e kaluar veterani italian pati deklaruar se do të vendoste vetëm pas garave të para dhe do të shikonte rezultatet në pistë, për të gjykuar më pas në lidhje me të ardhmen e tij. Rossi ka debutuar në vitin e largët 1996 dhe sezoni i ardhshëm do të jetë i 26 për të në karrierë. Valentino Rossi kërkon të thyejë rekordin e fitoreve të të madhit Giacomo Agostini. Për momentin 41-vjeçari është 7 fitore larg, sidoqoftë e gjitha kjo ngjan me një mision të pamundur, duke patur parasysh dominimin e jashtëzakonshëm të kanibalit Marc Marquez me Honda, për më tepër Rossi nuk fiton një garë në Moto GP që nga viti 2017 dhe në fakt triumfi në Assen është edhe i vetmi për Doktorin në 65 garat e fundit të Klasit Mbretëror.

Të ngjashme