Rrahmani: E rëndësishme fitorja më shumë se sa gola shënojmë

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës ka regjistruar fitore të rëndësishme në kuadër të ciklit eliminator për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Në një ndeshje plot spektakël si në tribuna ashtu edhe në fushën e lojës, Kosova arriti ta mposhtë Malin e Zi me rezultat të pastër 2:0.

“Dardanët” e drejtuar nga trajneri zviceran Bernard Challandes shënuan dy golat e fitores që në pjesën e parë.

Fillimisht, Amir Rrahmani shënoi në qytetin e tij të lindjes në minutën e dhjetë të ndeshjes.

Mbrojtësi prishtinas shënoi gol me kokë pas harkimit fenomenal nga Bersant Celina.

Ndërkaq, në minutën e 34-t, Vedat Muriqi dyfishoi epërsinë e Kosovës për 2:0 që rezultoi të ishte goli i fitores për vendasit.

Pas ndeshjes, kapiteni Amir Rrahmani është shprehur tejet i lumtur me fitoren.

“Më gëzon rezultati që kemi fituar dhe që nuk kemi pësuar gol. Loja jonë është e hapur, por ne nuk pësuam”, tha fillimisht Rrahmani për SS Kosova.

“Më intereson fitorja, më gëzon më shumë se gola”, shtoi Rrahmani.

Të ngjashme