Rrahmani shpreson që Kosova e Shqipëria të mos bien në një grup në Ligën e Kombeve

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani shpreson që Kosova e Shqipëria të mos bien në një grup në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Shorti për edicionin 2020-21 të Ligës së Kombeve hedhet sot (nga ora 18:00) në Amsterdam. Kosova e Shqipëria kanë gjasa të bien në një grup.

“Nuk e kam menduar këtë gjë. Por, nëse Shqipëria na bie në grup atëherë sigurisht do të ishin dy ndeshje të forta dhe të veçanta. Edhe nëse biem në një grup nuk do të ishte problem, pasi është lojë futbolli. Megjithatë, më mirë të mos përballeshim në këtë fazë”, ka thënë Rrahmani për “Kohën Ditore”.

Rrahmani vlerëson se në Ligën C, Kosova do të përballet me kundërshtarë më të fortë se që kishte në Ligën D. Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, luajti në Ligën D me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe e Maltën. Shqipëria ishte në Ligën C në grup me Skocinë e Izraelin.

“Do të jenë grupe shumë më të forta, sepse jemi në Ligën C. Mirëpo, ne nuk duhet të mendojmë këto gjëra dhe nuk ka rëndësi se me kë biem. E rëndësishme është të paraqitemi siç kemi bërë në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve”, ka thënë Rrahmani.

Edhe portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha shpreson të evitohet përballja në Ligën e Kombeve.

“Nëse do të jemi në një grup, njëra nga përfaqësueset do të kishte gjasa më shumë për kualifikim. Por, unë shpresoj të mos jemi në një grup për edicionin e ri të Ligës së Kombeve”, ka thënë Berisha.

Të ngjashme