Rregulli me pesë zëvendësime, “shpëtim” për orarin e ngjeshur të ndeshjeve

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Prishtina është skuadra e parë në Kosovë që e ka shfrytëzuar rregullin e ri prej pesë zëvendësimeve të aprovuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pas rifillimit të garave që pauzuan për gati tre muaj shkaku i përhapjes së pandemisë të koronavirusit.

Futbolli kosovar ka rinisur në fillim të kësaj jave, me ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Pikërisht në këto përballje është shfrytëzuar rregulli prej pesë zëvendësimeve.

Prishtina, të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, triumfoi 3:0 ndaj Drenicës dhe në këtë ndeshje trajneri i ekipit nga kryeqyteti, Armend Dallku, i përdori të pesë zëvendësimet, shkruan KOHA.

Për dallim prej Prishtinës, trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, nuk e shfrytëzoi “kartën” e pesë zëvendësimeve, por i përdori vetëm tri prej tyre. Në fakt, rregulli me pesë zëvendësime është lejuar në të gjitha garat në Evropë, për shkak të pauzës së gjatë dhe orarit të ngarkuar të ndeshjeve për ta përfunduar edicionin 2019/20 me kohë.

Superliga e Kosovës ka startuar të premten me ndeshjen në Podujevë ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit, kurse deri në fund të këtij edicioni janë edhe 11 xhiro të pazhvilluara dhe tri ndeshje të kupës – ato të kthimit në gjysmëfinale dhe finalja e paraparë të zhvillohet më 29 korrik, që edhe do të jetë ndeshja e fundit për këtë sezon. Edhe në futbollin kosovar orari është i ngjeshur, pasi ndeshjet do të zhvillohen çdo tri ditë dhe për trajnerët rregulli me pesë zëvendësime është më se i mirëseardhur, duke pasur parasysh se ekipet para dy javëve kanë rifilluar me stërvitjet në grupe.

Superliga ishte pezulluar më 13 mars, kur edhe u paraqitën rastet e para të prekura në Kosovë me koronavirus. Madje, trajneri i Prishtinës, Dallku, ka paralajmëruar se edhe në ndeshjet tjera do të mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë rregull.

Ai ka thënë se pesë zëvendësime mund të përdoren për qëllime të ndryshme gjatë ndeshjes: për ta ngritur nivelin e lojës dhe për t’i mbajtur të freskët lojtarët që mund të lodhen nga ndeshjet e shpeshta që do t’i luajnë deri në fund.

“Në ndeshjen e parë gjysmëfinale i kam bërë pesë zëvendësime, duke e shfrytëzuar këtë të drejtë. Realisht, tri zëvendësime i bëra nga nevoja për ta ngritur nivelin e lojës, derisa dy të tjera për t’i pushuar lojtarët nga lodhja”, është shprehur Dallku. “Në këto ndeshjet e para ndoshta nuk do të jetë e nevojshme të përdoren, por besoj se pas disa ndeshjeve do të jetë e nevojshme të bëhen pesë zëvendësime, kjo për shkak se pauza e gjatë do të ndikojë në lodhjen e lojtarëve dhe do të jemi të detyruar që ata t’i zëvendësojmë për t’i mbajtur të freskët”.

Pesë zëvendësime janë përdorur edhe në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të Kupës që u zhvillua të mërkurën në Suharekë dhe që përfundoi po gola ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme