Rritet entuziazmi i tifozëve kosovar para sfidës vendimtare me Çekinë

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Derisa në tri ditët e kaluara futbollistët e Kosovës u duartrokitën në fillim të stërvitjes, të enjten ata morën duartrokitjet e shikuesve në fund të stërvitjes. Tifozët ishin në numër më të madh se në tri stërvitjet e para, dhe kjo dëshmon që interesimi dhe entuziazmi po rriten në prag të ndeshjes së rëndësishme me Çekinë, që luhet të shtunën nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Për t’u ambientuar me orarin e pazakontë të ndeshjes, seleksionuesi Bernard Challandes ka mbajtur stërvitjen e së enjtes po nga ora 15:00, shkruan sot Koha Ditore.

Stërvitja ishte e hapur për shikues, ndërsa stërvitja e së premtes do të jetë e hapur vetëm 15 minuta. Në stërvitjen e fundit, që zhvillohet po ashtu nga ora 15:00, seleksionuesi Challandes do të vendosë përfundimisht për formacionin. Të enjten ka provuar disa skema, ka lëvizur lojtarë për të krijuar ide të përafërt për formacionin që do të aktivizojë.

Është e qartë se Kosova do të luajë me sistem të njëjtë si në ndeshjet e kaluara, atë 4-2-3-1. Vedat Muriqi në krye të sulmit është thuajse i konfirmuar, ndërsa në portë pritet të jetë Arijanet Muriq. Para tij do të jetë dyshja e zakonshme, Amir Rrahmani e Fidan Aliti, ndërsa në të djathtë Mërgim Vojvoda. Në krahun e majtë me shumë mundësi do të paraqitet Florent Hadërgjonaj, ndonëse ai luan me këmbën e djathtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme