Rritja e Përfaqësueses në të gjitha anët

Prishtinë | 28 Qer 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Janë rritur ndjeshëm pikët e Kosovës në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset e futbollit. Në ranglistën e fundit të publikuar, Kosova kishte 25 pikë më shumë se në ranglistën paraprake, dhe kjo i mundësoi që të jetë gjashtë pozita më lart. Pozita e 121-të është më e mira që Kosova ka pasur ndonjëherë.

Rritja e Përfaqësueses së Kosovës në futboll megjithatë nuk kufizohet vetëm në pikët në ranglistë apo në rezultatet që po i arrin në fushë, shkruan Koha Ditore.

Janë rezultatet dhe paraqitjet që po ndikojnë që të ketë rritje të Përfaqësueses në shumë drejtime. Interesimi për të përcjellë ndeshjet e Kosovës është i madh si asnjëherë më parë. Po ashtu është rritur prania e Përfaqësueses së Kosovës në mediumet prestigjioze ndërkombëtare, kryesisht falë serisë impresive prej 14 ndeshjeve pa humbje. Ka shumë që besojnë se Kosova tashmë do të sfidojë fuqishëm Çekinë për vendin e dytë në grup, që dërgon direkt në Euro 2020.

Por së fundmi ajo që bie më së shumti në sy është niveli dukshëm më i lartë i lojtarëve që vendosin të luajnë për Kosovën e po ashtu ngritja e lojtarëve aktualë të Kosovës në nivel dukshëm më të lartë.

Kështu të mërkurën nga Kroacia në drejtim të Serie A të Italisë lëvizi mbrojtësi i qendrës i Kosovës, Amir Rrahmani. Është raportuar që Rrahmani ka firmosur për katër vjet me skuadrën Hellas Verona. Verona është kthyer në Serie A, ndërsa në klub kanë pritje të mëdha prej Rrahmanit. Pritet që ai të jetë titullar dhe kjo do të bënte edhe më të rëndësishëm kalimin e tij në një prej ligave më të forta evropiane. Te Dinamo e Zagrebit, Rrahmani nuk ka luajtur rregullisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme