Rruga e Gallegos deri në La Liga nisi si shofer kamioni

Prishtinë | 30 Mar 2019 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Të luajë kundër Real Madridit dukej si ëndërr për Enric Gallegon, derisa voziste kamionin për të mbështetur karrierën e tij në futbollin amator, por të dielën kjo ëndërr do të bëhet realitet për sulmuesin e Huescas.

Kur 32-vjeçari do të futet në “Santiago Bernabeu” për herë të parë, që të përballet me lojtarët si Sergio Ramos, Gareth Bale e Luka Modriq, ai do të përfundojë një rrugëtim të jashtëzakonshëm në karrierën e tij. Sulmuesi katalonjas për më pak se një vit ka mbërritur në La Liga nga niveli i tretë i Spanjës, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Gallego kishte menduar se ka humbur rastin të përballet me Real Madridin kur ish-ekipi i tij Cornella ishte kundërshtar i madrilenëve në Kupën e Spanjës një vit pasi ai u largua. Për këtë, Gallego ishte mërzitur shumë.

“Ish-bashkëlojtarët kanë pasur rastin të luajnë në ‘Bernabeu’ derisa unë jo. Tash unë e kam radhën të luaj në këtë stadium dhe do ta shijoj në maksimum. Jam njeriu më i lumtur që brenda një periudhe të shkurtër kam arritur në këtë nivel. Nuk do ta ndryshoja për asgjë karrierën time, pavarësisht vështirësive që kam pasur”, është shprehur Gallego.

Gallego është rritur në periferi të Barcelonës, duke luajtur me ish-reprezentuesin e Spanjës, Sergio Garcia, por për dallim prej tij, ai pati një rrugë krejtësisht tjetër. Kur ishte 18 vjeç, ekipi i të rinjve ku luante Gallego u përjashtua nga liga për shkak të një përleshjeje në fushë. Për këtë, ekipi i tij nuk u lejua një vit që të luante futboll. Më vonë, Gallego u zhvendos nëpër ekipet rajonale katalonjase, si dhe pati një periudhë të shkurtër me ekipin B të Espanyolit. Krahas futbollit, Gallego punonte punë të ndryshme për të mbajtur ëndrrën gjallë që të luajë futboll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme