Rrugëtimi i Richardsit nga Dallasi në Munich

Prishtinë | 09 Gus 2020 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Rregullat vazhdonin të ndryshonin edhe pse ato nuk kishin shumë kuptim. Mirëpo, kjo nuk kishte rëndësi për Chris Richardsin, i cili vazhdonte të gjende mënyra për të fituar. Ishte një seancë stërvitore e ekipit të të rinjve të FC Dallasit në vitin 2018, dhe trajnerët kishin projektuar një lojë ekipore të njëanshme, e cila përdorte një top tenisi dhe kishte kufizime të çuditshme rreth mënyrës se si dhe kur mund të kalohej lojtari dhe shënohej goli. Të rinjve u kërkohej që topin e tenisit nga dora e majtë ta bartnin në të djathtën përpara se t’u lejohej kalimi i kundërshtarit. Përderisa shumica e të rinjve ishin hutuar me këto rregulla, Richardsi që se shpejti do të firmoste kontratë me Bayernin, u bë i gjallë.

“Chrisi shpejt kuptoi se si të përfitonte nga rregullat dhe po stërviste shokët e tij të skuadrës se si të fitonin”, kujton Chris Hayden, drejtori i akademisë së Dallasit. “Ekipi i tij fitoi me lehtësi. Dhe, aty kuptuam se ai është në gjendje të përfitojë nga situata dhe mund të ketë karrierë në futboll”.

Richardsi është një zgjidhës i problemit. Mirëpo, detyra e tij për sezonin e ardhshëm nuk do të jetë edhe aq e lehtë. 20-vjeçari duhet të shpërthejë në një ekip të mbushur me yje për çka edhe është i gatshëm. Kur bëri debutimin e tij në Bundesligë në qershor, duke u futur gjashtë minutat e fundit të fitores 3:1 ndaj Freiburgut, Richardsi e gjeti veten si partner i Jerome Boatengut, që ka 76 ndeshje me Gjermaninë. Në fakt, ai luante në qendër të mbrojtjes, kurse në krahë ishte dyshja franceze, Benjamin Pavard dhe Lucas Hernandez. Kështu që Richardi ishte i vetmi në repartin e mbrojtjes pa një medalje të kupës së Botës. Por kjo nuk është hera e parë në karrierë për Richardsin që përballet me një çështje të tillë. Richardsi ka lënë vendlindjen e tij, Alabama, në moshën 16-vjeçare për ta ndjekur ëndrrën.

“Me t’u larguar nga shtëpia, e kuptova se ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist profesionist”, thotë ai.

Ai ishte i ftuar në një provë te FC Dallas, por u vlerësua si i papërpunuar për t’i ofruar një vend në akademinë e klubit nga MLS. Në vend që të kthehej në shtëpi, ai qëndroi në Teksas, duke nënshkruar për Texans SC në Houston, ku ai ndihmoi klubin të fitonte kampionatin e akademive kombëtare për herë të parë. Kjo u mjaftoi zyrtarëve të Dallasit për ta kthyer.

“Ne ishim të bindur se ai mund të përparonte. Menjëherë, e ftuam dhe i ofruam kontratën. Ai me kalimin e kohës u bë lider i ekipit”, thotë Hayden.

Paraqitjet e Richardsit në ekipet e të rinjve të Dallasit shpejt sollën njohje ndërkombëtare, pasi u ftua në një kamp stërvitor të ekipit U20 të SHBA-së në Florida.

Dave van den Burgh ishte trajner i skuadrës U19, dhe Richardsi duhej të ishte pjesë e ekipit të tij. Mirëpo, pas vetëm një stërvitjeje, Richardsi u dërgua në ekipin U20.

“I thashë se ai duhet të jetë me ekipin U20 për shkak se mund të siguronte paraqitjen në Kampionatin Botëror. Ishte i jashtëzakonshëm qysh në stërvitjen e parë dhe kjo ishte arsyeja që e dërgova në ekipin tjetër”, thotë Van den Burgh, që kishte këshilluar homologun e tij, Tab Ramos, t’i kushtonte vëmendje Richardsit.

Të ngjashme