Rrugëtimi përrallor i Rahovecit sot prek një tjetër nivel

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Me vetëm tre vjet përvojë në Superligë, klubi Rahoveci është bërë faktor në basketbollin kosovar. Qyteti i vogël i Rahovecit po bëhet një qendër e rëndësishme e basketbollit kosovar. Në Rahovec ka entuziazëm për sportin e koshit, që po shfrytëzohet edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Pasi para një jave në Rahovec u luajt ndeshja e Superkupës, e fundjavën e kaluar edhe derbi i parë i madh i Superligës, të mërkurën (sot) “vreshtarët” fillojnë edhe rrugëtimin ndërkombëtar, që nga klubi është vlerësuar moment historik.

Për herë të parë në Rahovec do të luhet ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Palestra “Mizahir Isma” pritet të jetë e stërmbushur me shikues, atmosfera të jetë e zjarrtë.

Rahoveci do të takohet me skuadrën rumune U-BT Cluj Napoca në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup, që llogaritet niveli i katërt i basketbollit evropian. Ndeshja zhvillohet të mërkurën (sot) nga ora 20:30.

Ndeshja e kthimit në Cluj-Napoca është pas një jave, më 9 tetor, ndërsa skuadra rumune vlerësohet favorite e madhe për të avancuar në fazën grupore. Te Rahoveci pranojnë se Cluji është favorit, por janë të përkushtuar që momentit historik t’ia japin shkëlqimin.

Vetëm më 2016 u inkuadrua në elitë

Një ndeshje ndërkombëtare e Rahovecit, një mbrëmje si ajo që pritet të jetë të mërkurën, vështirë mund të jetë menduar në vitin 2016, kur kjo skuadër fitoi titullin në Ligën e Parë dhe u promovua në elitën e basketbollit kosovar.

Të ngjashme