Ruiz: Shpresoj se s’ia kam shkatërruar karrierën Joshuas më 2019

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Andy Ruiz Jr thotë se vërtet shpreson se nuk ia ka shkatërruar karrierën Anthony Joshuas, kur e mposhti britanikun në luftën për titullin e botës në kategorinë e rëndë dy vite më parë.

Ruizi e pati tronditur botën më 2019 kur e rrahu Joshuan brutalisht, pavarësisht se e kishte siguruar mundësinë për të luftuar për titull vetëm pak javë më herët, raporton Gazeta Express.

Boksieri meksikan e humbi rimeçin ndaj britanikut më vonë, pas të cilit e kishte pranuar se nuk kishte bërë aspak përgatitje të duhura për luftën.

Ruizi është në binarë për t’u rikthyer tani, pasi e mundi amerikanin Chris Arreola me vendim unanim në maj dhe shpreson se një trilogji me Joshuan do të ndodhë një ditë.

Joshua i humbi titujt e botës në kategorinë e rëndë përsëri këtë vit, pasi u mund nga Oleksandr Usyk dhe tani është duke u përgatitur për rimeçin kundër ukrainasit në pranverën e vitit 2022.

I pyetur nëse fitorja e tij ndaj Joshuas ia ka ndryshuar karrierës britanikut, Ruiz tha: “Nuk do të doja t’ia shkatërroj karrierën asnjë boksieri, por e shoh tani se ai është nervoz dhe ngurrues në ring, e shoh duke marrë shumë goditje dëmtuese.”

Ai shtoi: “Mbase Joshua po frikësohet se mund të lëndohet, sepse nuk dëshiron t’i ndodhë e njëjta gjë. Është normale. Mendoj se atij duhet t’i kthehet vetëbesimi”.

I pyetur për rimeçin e humbur ndaj Joshuas, Ruiz theksoi: “Ai fitoi në rimeç kundër meje sepse unë nuk e bëra punën time. Kjo është arsyeja e vetme. Sikur të luftoja sipas planit tim dhe ta bëja gjënë e njëjtë si në luftën e parë, më besoni se do ta kisha mposhtur përsëri.”

Të ngjashme