Saccone, trajneri kondicional që e njohu Kosovën nëpërmjet Valon Behramit

Prishtinë | 01 Mar 2020 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Kosova nuk ishte vend i panjohur për trajnerin kondicional, italianin Corrado Saccone, kur mori oferta për të punuar te skuadrat elitare të futbollit në këtë vend.

Për Kosovën ku sot punon, ai kishte dëgjuar tetë vjet më parë nga futbollisti i mirënjohur kosovar, Valon Behrami. Saccone, që aktualisht është trajner kondicional te skuadra e Gjilanit, me Behramin kishte punuar për dy vjet (2012-2014) te skuadra e madhe nga Serie A, Napoli.

Behrami ishte futbollist derisa Saccone përgjegjës për përgatitjen fizike të ekipit. Në fakt, krahas Behramit, Saccone te Napoli ka punuar edhe me Blerim Xhemailin e Elseid Hysajn, transmeton Koha Ditore.

“Duhet ta them të vërtetën. Kam kaluar shumë mirë me të gjithë. Me Hysajn kam punuar një vit, ndërsa me Behramin dhe Xhemailin për një kohë më të gjatë dhe natyrisht se raporti me dy të fundit ka qenë më i afërt. Sa i përket Behramit dhe Xhemailit, janë dy lojtarë të edukuar dhe bujarë, përveç që janë dy atletë të mrekullueshëm. Valoni ishte gjithmonë ai që qeshte për gjithçka dhe me të gjithë. Prej tij, gjithmonë mund të prisje gjithçka”, ka treguar Saccone në një rrëfim për gazetën.

Saccone te Napoli qëndroi prej vitit 2010 deri në qershor të vitit 2016. Ai ka vlerësuar lart punën e futbollistëve shqiptarë, që sipas tij ishin profesionistë në çdo aspekt.

“Behrami, Xhemaili dhe Hysaj janë profesionistë në punën që e bëjnë. Me Blerimin kam pasur marrëdhënie më të afërta, meqë kemi darkuar disa herë. E mbaj mend një goditje dënimi me një skemë që trajneri Walter Mazzarri nuk dëshironte të aplikohej. Por, gjatë një ndeshjeje, kur u fitua një goditje dënimi, Marek Hamsik dhe Xhemaili u morën vesh dhe ky i fundit shënoi një gol mbresëlënës. Mazzarri së pari u frustrua që nuk i dëgjuan instruksionet e tij, pastaj filloi të qeshte”, kujton Saccone.

Trajneri kondicional, Saccone, punën për herën e parë në Kosovë e nisi te Prishtina, ku qëndroi për një kohë të shkurtër. Por për talentin e kosovarëve nuk ka fare dyshim. Prej Prishtinës, ai iu bashkua ekipit tjetër të Superligës, Gjilanit, në fillim të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme