Sadiku në formë fantastike, afër rekordit historik të Malagas

Prishtinë | 21 Qer 2020 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Armando Sadiku është në superformë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare gjeti sërish rrugën e rrjetës me Malagan në Segunda Division duke iu afruar gjithnjë e më shumë thyerjes së rekordit të vendosur nga venezueliani Salomon Rondon me skuadrën andaluziane.

Në sfidën e vlefshme për javën e 34-të ndaj Etremaduras Sadiku realizoi një gol në minutën e 28-të, teksa i shërbyer nga Tete finalizoi një aksion të bukur të skuadrës vendase duke i dhënë avantazhin Malagas.

Ky ishte goli i 12-të për Sadikun në kampionat me bomberin shqiptar që synon të thyejë sa më shpejtë rekordin e Rondon i cili është shënuesi më i mirë në një sezon të vetëm në historinë e Malagas teksa ka arritur të realizojë 14 gola, 2 më shumë sesa numëron Sadiku aktualisht.

Sigurisht, duke pasur edhe shumë ndeshje të tjera përpara, për sulmuesin mund të jetë më e thjeshtë që të thyejë këtë rekord, për ta bërë edhe më të paharrueshëm eksperiencën te klubi andaluzian që me shumë mundësi nuk do të zgjatë pas verës.

Edhe klubi po e ndihmon, duke e caktuar atë si goditësin e’penalltive në këtë periudhë dhe sulmuesi nuk ka gabuar në 5 tentativat e tij. Përsa i përket sfidës ndaj Extremaduras goli i kuqeziut nuk i mjaftoi Malagas për të marrë tre pikët pasi ndeshja u mbyll në barazim 1-1. Sadiku është në pronësi të Levantes teksa në fund të këtij sezoni do të rikthehet te skuadra valenciane që luan në La Liga.

Të ngjashme