Sagna – Mbappes: Qëndro edhe një sezon në PSG

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Ish-futbollisti francez, Bacary Sagna, e ka këshilluar Kylian Mbappen të qëndrojë edhe për një sezon tjetër në Paris Saint-Germain, para se ta shqyrtojë mundësinë e transferimit në Real Madrid.

Kylian Mbappe vazhdon të jetë njëri ndër lojtarët më të kërkuar nga Real Madridi dhe mediumet spanjolle raportojnë se Los Blancos shpresojnë ta arrijnë një marrëveshje me 21-vjeçarin në fund të këtij sezoni, transmeton Gazeta Express.

Por, Sagna, i cili kishte luajtur për një kohë përkrah Mbappes në ekipin kombëtar të Francës, beson se sulmuesi do të bënte hap shumë më të mirë në karrierën e vet nëse do të qëndronte në Parc des Princes edhe për një sezon tjetër para se të shkojë në Santiago Bernabeu.

PSG-ja është në mesin e klubeve favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, pasi e eliminoi Dortmundin për ta zënë një vend në çerekfinale të këtij sezoni. Megjithatë, koronavirusi ka bërë që të jetë e pasigurt nëse apo kur do të përfundohet kjo garë.

“Mendoj se edhe një sezon tjetër në Paris do të ishte i mirë për të sepse Parisi e ka një skuadër të mirë dhe ata e kanë një mundësi të mirë për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Sagna.

“Parisi është në rrugë të mirë për aq kohë sa luajnë me vetëbesim dhe nuk mendojnë për atë që u ka ndodhur në edicionet e kaluara të Ligës së Kampionëve. Ata e kanë një mundësi me të vërtetë të mirë”.

“Kurdo që luajnë Neymari dhe Mbappe dhe ata e kanë qasjen e duhur në fushën e lojës, ata mund ta mposhtin këdo. Kështu që para se të largohet, mendoj se do të ishte mirë për Mbappen të ketë sukses me Parisin”.

Të ngjashme