Salihu: Coronavirusi ka prekur gjithë botën, nuk duhet të neglizhohet edhe nga ne

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka thënë se do të kërkojnë rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Sportit, nëse është i nevojshëm pezullimi apo zhvillimi i ndeshjeve pa shikues edhe në Kosovë.

Salihu ka thënë për gazetën “Koha Ditore” se nuk duhet të neglizhohet koronavirusi edhe nga Kosova. Të hënën në mbledhje të Qeverisë së Shqipërisë është marrë vendim për pezullimin e aktiviteteve sportive deri më 3 prill. Në Shqipëri janë evidentuar dy persona të prekur me koronavirus.

“Nuk ka ndonjë indice se ka rrezikshmëri në Kosovë, por ne sigurisht se gjatë javës së ardhshme do të marrim rekomandime nga MKRS-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, se a është e nevojshme të merret ndonjë vendim të pezullohen ndeshjet apo edhe të luhen pa shikues. Ky virus që është përhapur në tërë botën, nuk duhet të neglizhohen edhe nga ne. Vlerësimin e bëjnë të dyja ministritë”, ka thënë Salihu.

Shqipëria është e fundit që ka marrë vendim pezullimin e ndeshjeve, derisa një vendim i tillë më herët është marrë edhe nga shumë shtete tjera. Mundësia është lënë e hapur që edhe ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Ligës së Kombeve në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të luhet pa shikues. Kjo ndeshje të luhet më 26 mars në Shkup.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme