Sarri po e ka të vështirë të imponojë stilin e tij te Juventusi

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri po e ka të vështirë të imponojë stilin e tij të lojës te skuadra torineze dhe ai e ka shfaqur haptazi frustrimin e tij pas përformancës së dobët në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lyonit të mërkurën, bën të ditur agjencia Reuters të enjten, transmeton Koha.net.

Në komentet që mund të shihen si sinqeritet apo edhe si kritikë publike ndaj lojtarëve, Sarri 61-vjeçar ka thënë se skuadra e tij po e ka të vështirë të kap konceptimin e pasimit të topit shpejt, një stil i njohur si “Sarri-ball”.

“Unë po e kam shumë të vështirë të barti në këtë skuadër idenë e qarkullimit të shpejt të topit. Në stërvitje, topi lëviz me shpejtësi 200 kilometra në orë, por çuditërisht kjo nuk ndodh edhe në ndeshje. Në stërvitje, ne punojmë dy herë më shpejt se që luajtëm sonte”, ka thënë Sarri të mërkurën mbrëma pas humbjes 1:0 nga Lyoni në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Juventusi, klub dominues në futbollin italian, tradicionalisht ka fituar trofe pa u shqetësuar se si e bënë këtë.

Para Sarrit, që ka bërë famë gjatë tre vjetëve te Napoli, të emërohej në verë, Juventusi kishte kaluar pesë stinor nën direktivat e Massimilliano Allegrit, që vazhdimisht kishte cekur rëndësinë e administrimit të lojës.


Pasi fitoi tituj të Serie A së Italisë në të pesë stinorët me Allegrin, duke rritur serinë në tetë tituj rresht të Italisë, Juventusi vendosi për ndryshim. Krerët e klubit torinez vendosën se u duhet më tepër shkëlqim në lojë dhe u përcaktuan për Sarrin.

Sarri njihet për lojë me pasime të shpejta dhe presion në gjysmën e fushës së kundërshtarit.

Mirëpo, Sarri shpesh ka parë këtë edicion skuadrën duke u mbrojtur në 16-metërshin e vet, si në periudhën me Allegrin.


Juventusi ka treguar megjithatë disa shenja të shkëlqimit të stilit të Sarrit dhe ende kryeson në Serie A me një pikë epërsi. Por, duhet ende shumë punë për të aplikuar stilin e Sarrit. Juventusi ka shënuar më pak gola në Serie A këtë edicion, 48, sesa që kishte shënuar në të njëjtën periudhë edicionin e kaluar, 53 gola.

Sarri është ankuar disa herë se mesazhi i tij nuk po shkon te lojtarët, por përformanca e të mërkurës veçanërisht ishte frustruese për të.


“Në pjesën e parë, ishim të ngathët në pasime dhe kjo është arsyeja pse vuajtëm. Në pjesën e dytë ishim më mirë, por kjo nuk mjafton në një ndeshje të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Sarri.


Kritika të tilla konstante ndaj lojtarëve nuk janë të zakonshme dhe mund të nxisin reagime nga lojtarët apo lidershipi i klubit.


Trajneri i Interit, Antonio Conte më herët ka thënë se ankesat e Sarrit mund të mos mirëpriten, pasi është në klubin më të fuqishëm në Itali.

“Tash, ai është në skuadrën më të fortë, kështu që duhet të qëndrojë i qetë”, ka thënë Conte.

Të ngjashme