Satou Sabally, ylli i ardhshëm i Gjermanisë në basketboll

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Ishte një ditë që Satou Sabally me siguri nuk do ta harrojë kurrë. Data 17 prill e ndryshoi plotësisht jetën e basketbollistes gjermane, pasi ishte dita kur skuadra Dallas Wings e përzgjodhi atë si zgjedhjen e dytë të draftit të WNBA-së, të vitit 2020.

Vendimi i Saballyt për të hequr dorë nga viti i saj i madh si seniore në kolegjin “Oregon” u shpagua kur ajo u draftua në ligën më të fortë në botë të basketbollit të femrave. Tashmë 21-vjeçarja ka bërë hapin e madh në karrierë, duke kërcyer në WNBA, ligë që e ëndërrojnë të gjitha basketbollistet.

“Kurrë nuk kam qenë kaq e zënë në jetën time”, thotë Sabally. “Unë nuk kam ngrënë pothuajse asgjë. Pasi drafti përfundoi dhe gjithçka ishte zyrtare, unë u ndjeva më e lehtësuar. Kam fjetur vetëm pesë orë”.

Lehtësimi dhe euforia janë ende të dukshme te Sabally edhe pse tashmë kanë kaluar disa ditë prej se ajo është draftuar te skuadra e femrave të Dallasit.

Madje edhe Dirk Nowitzki, i cili është legjendë e ekipit të NBA-së, Dallas Mavericks, i dërgoi Saballyt një mesazh urimi në rrjetin social “Twitter” duke i uruar mirëseardhje në qytetin amerikan. Asnjë sportist gjerman, qoftë mashkull apo femër, nuk është zgjedhur ndonjëherë më lart në një skemë sportive amerikane sesa basketbollistja Sabally.

Gjatë ditëve në vazhdim, Sabally ka paralajmëruar se do të bëjë një bisedë private me Nowitzkin për të marrë informata të dorës së parë sa i përket Dallasit. Por, ajo ka thënë se deri më tani nuk ka pasur kohë për ta bërë një gjë të tillë për shkak të telefonatave të shumta që i merr, si dhe emocioneve të saj që së shpejti do të jetë pjesë e një ekipi si Dallas Wings që ka të fituar tre tituj kampioni në WNBA.

“Kam shumë mesazhe në telefon”, qeshet Sabally. “Sapo t’u kthej të gjithëve përgjigje, besoj se do të jem më e qetë dhe pastaj do ta takoj Nowitzkin. Jam shumë e emocionuar dhe me padurim pres t’i bashkohem ekipit. Nuk kam fjalë t’i përshkruaj të gjitha, por më e rëndësishmja është se data 17 prill, gjithmonë do të jetë në kujtesën time”.

Luan në pozitën e krah-qendrës

Sabally u zbulua në moshën nëntëvjeçare, në një shesh lojërash në Berlin nga një trajner basketbolli.

Në fakt, Sabally ishte vajza e vetme në ekipin lokal të basketbollit nga Berlini, në të cilin edhe i mori hapat e parë. Në moshën e re, ajo luajti për ekipet lokale të Berlinit përpara se të regjistrohej në kolegjin e Oregonit në moshën 19-vjeçare.

Të ngjashme