Schalke i kërkon falje tifozëve që u shtroi pyetje lidhur me rimbursim për bileta

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Schalke të enjten ka kërkuar falje pasi ka kërkuar nga tifozët që kanë blerë bileta për ndeshje dhe nuk mund të paraqiten për shkak të pandemisë COVID-19, që të shpjegojnë pse po kërkojnë rikthimin e parave.

Bundesliga gjermane ka rifilluar më 16 maj, pas një pezullimi dymujor shkaku i koronavirusit, por ndeshjet po luhen pa shikues për të evituar rrezikun e infektimit.

Klubet i kanë ofruar tifozëve rimbursim dhe kuponë për biletat e tyre. Shumë pronarë të biletave sezonale të klubeve gjermane kanë vendosur të mos kërkojnë rimbursim për të përkrahur klubet e tyre gjatë krizës financiare të shkaktuar nga koronvirusi.

Por, Schalke ka bërë një hap më tepër duke i kërkuar tifozëve të shpjegojnë saktësisht arsyen pse po kërkojnë rimbursin dhe të dorëzojnë një dëshmi të dokumentuar.

“Pse të duhen paratë tash? Elaboro vështirësinë tënde dhe nëse është e mundur dorëzo një dokumentar”, shkruhet në letrën që Schalke i ka dërguar tifozëve.

Kjo ka nxitur pakënaqësi dhe ka shtyrë Schalken të kërkojë falje.

“Asnjëri nuk ka nevojë të dorëzojë dokumente dhe asnjëri nuk do të kontrollohet. Në letër dërguar tifozëve, Schalke ka përdorur shprehje jo shumë të ndjeshme. Për këtë klubi dhe punëtorët e qendrës së shërbimit duan t’i kërkojnë falje gjithë tifozëve. Është dashur të shprehemi më mirë”, është thënë nga Schalke.

Pos problemeve financiare, Schalke, është në krizë të rezultateve. Nuk ka fituar në 11 ndeshjet e fundit dhe zë vendin e dhjetë në Bundesligë.

Të ngjashme