Schalke u kërkon pronarëve të biletave sezonale që të heqin dorë nga rimbursimi

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Bundesligës gjermane në futboll, Schalke 04, u ka kërkuar pronarëve të biletave sezonale që të heqin dorë nga rimbursimi dhe të ndihmojnë klubin gjatë kësaj situate të vështirë financiare të krijuar pas pezullimit të futbollit shkaku i koronavirusit.

Klubi këtë e ka bërë të ditur në një komunikatë në faqen zyrtare, transmeton Koha.net.

Schalke të mërkurën ka thënë se është në një situatë financiare potencialisht të “rrezikshme për ekzistencë”, ku liga është pezulluar që nga mesi i marsit dhe nuk pritet të rifillojë para majit.

“Ka shumë oferta (nga tifozët) për të refuzuar rimbursimin për biletat e tyre sezonale apo biletat ditore që i kanë blerë dhe ne e konsiderojmë këtë gjest financiar si diçka të veçantë. Çdo refuzim është një kontribut i jashtëzakonshëm për të stabilizuar dhe siguruar mbijetesën e klubit. Klubi po përballet me një situatë financiare potencialisht që ia rrezikon ekzistencën”, është thënë në komunikatë.

Schalke do të dhurojë një fanellë speciale për secilin nga pronarët e biletave sezonale që nuk kërkon të kompensohet, është njoftuar nga klubi.

Liga e Futbollit Gjerman (DFL) është duke shpresuar të rinisë stinorin dhe skuadrat kanë nisur stërvitjet në grupe të vogla.

Por, në Gjermani ende ka kufizime shkaku i koronavirusit, ku janë infektuar mbi 100 mijë persona dhe mbi 2000 kanë vdekur.

Të ngjashme