Schweinsteiger e mbështet Mourinhon për t’u bërë trajner i Bayernit

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Bastian Schweinsteiger e ka mirëpritur idenë që Jose Mourinho të marrë drejtimin e Bayern Munichut, duke qenë se e njeh nga afër punën e tij, pasi ka bashkëpunuar me të te Manchester Unitedi.

Pas shkarkimit të Niko Kovacit, kampioni gjerman është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa tashmë po qarkullojnë emra të ndryshëm për postin e mbetur vakant.

Strategu portugez, i cili është i papunë, është njëri prej emrave të përmendur së bashku me Massimiliano Allegrin, transmeton telegraf. I pyetur nga Bild për mundësinë që ish-trajneri i Real Madridit ta marrë drejtimin e bavarezëve, Schweinsteiger ka thënë: “Mund ta paramendoj Mourinhon në Gjermani”.

“Më kujtohet se vazhdimisht më pyeste për Bayernin dhe Bundesligan. Gjatë ndeshjeve si mysafirë, gjithmonë e lëshonim Bundesligan në TV”.

“Ai e njihte secilin lojtar, madje edhe ata të ekipeve të vogla. Po ashtu, mësonte edhe gjermanisht. Ai nuk ka punuar në Bundesliga, prandaj mund ta paramendoj se do të ishte i motivuar për angazhim në Gjermani”, ka deklaruar ish-mesfushori i Bayernit.

Të ngjashme