Sefer Seferi ndeshet me Tyson Furyn më 9 qershor në Manchester Arena?

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 20:01 | Nga

Boksieri shqiptar, Sefer Seferi, citohet të ketë thënë se ai do të përballet me ish-kampionin e botës në kategorinë e peshave të rënda, Tyson Fury, në meçin rikthyes të britanikut më 9 qershor.

Ditën e martë, Fury është paraqitur para Bordit britanik të Kontrollit për të rimarrë licencën për të boksuar, pasi më herët ishte pezulluar për shkak se kishte dështuar në testin anti-doping dhe ka pasur probleme shëndetësore.

Ai pritet që të hyjë në ring në Manchester Arena pas dy muajsh për t’iu rikthyer boksit, të cilin e kishte lënë pasi e hoqi Wladimir Klitschkon nga froni në vitin 2015.

Promovuesi i boksit, Frank Warren, me të cilin 29-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje për disa meçe, akoma nuk e ka konfirmuar se kush do të jetë kundërshtari i britanikut, mirëpo sipas 20 minutes, Seferi ka thënë se ai do të jetë kundërshtari i Furyt.

“Ky do të ishte një realizim ëndrre. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më jepej rasti të dilja përballë Furyt – idhullit tim”.

“Fury është një legjendë e boksit në shekullin 21. Është i gjatë, e ka peshën dhe forcën, lëviz shumë lehtë dhe e ka hequr nga froni Wladimir Klitschko. Fury është një ari”, citohet të ketë thënë shqiptari, ndërsa transmeton Daily Mail.

Seferi, i cili zakonisht bën gara në kategorinë e peshave të mesme, duhet të shtojë në peshë në mënyrë që të bëjë gara në një kategori me të ashtuquajturin ‘Gypsy King’.

Kjo nuk është hera e parë që ka garuar në kategorinë më të lartë, pasi në vitin 2016 ishte përballur me Manuel Charr për titullin WBA që asokohe ishte vakant, por kishte humbur.

39-vjeçari planifikon të udhëtojë në Hamburg në javët në vijimi për të nisur sa më shpejt stërvitjet intensive për t’u përgatitur për duelin ndaj ish-kampionit botëror.

“Jam shumë i disiplinuar dhe gjithmonë i gatshëm për t’u ndeshur. Fury nuk do ta ketë lehtë. Do të përpiqem t’i bëj presion. Dikush duhet t’i bëjë ballë atij”, ka thënë boksieri i lindur në Gostivar të Maqedonisë.

Nga meçet profesionale, Seferi ka zhvilluar 24 duele dhe 23 prej tyre i ka fituar.

Në ndërkohë, Shannon Briggs përmendet si një emër që mund të ndeshet me Furyn, si edhe Gary Cornish dhe Kevin Johnson (të dy të mposhtur nga Anthony Joshua) mund të duelojnë me 29-vjeçarin në rrugëtimin e tij për t’iu kthyer majave të boksit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme