Selektori i Moldavisë pranon forcën e Kosovës, i sheh “dardanët” në Evropian

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Kishte bërë bujë deklarata e Engin Firat se Moldavia nuk mund të luajë në Kosovë e as Kosova në Moldavi. Moldavia, që nuk e njeh shtetin e Kosovës, ka vendosur që ndeshjen e së enjtes ndaj “dardanëve” ta organizojë në Parma të Italisë.

Ndonëse deklarata e tij ishte diskutuar gjatë dhe jo gjithnjë në kontekstin më të mirë, turku Firat ka respekt të madh për Kosovën. 50-vjeçari, që është selektor i Moldavisë, madje nuk ka as dyshimin më të vogël se Kosova do të kualifikohet në “Euro 2020”. Firat, në një intervistë për KOHËN, ka insistuar se Kosova do të tejkalojë pa telashe pengesat në plejofin për Evropian, për të siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen kontinentale.

Firat shkon tutje duke thënë se Kosova do të ketë rezultate të mira në “Euro 2020”, dhe nuk do të shkojë atje vetëm për pjesëmarrje.

Kosova më 8 tetor do të luajë në gjysmëfinale të plejofit ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup dhe nëse kualifikohet në finale, do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. Finalja e plejofit, që siguron biletën për “Euro 2020”, është e paraparë të zhvillohet më 12 tetor.

“Jam shumë i sigurt se Kosova do të luajë në Kampionatin Evropian, pasi do t’i kalojë kundërshtarët që i ka në plejofin e Ligës së Kombeve. E them këtë për shkak se ka shumë cilësi në ekip dhe nuk shoh probleme për Kosovën, ndonëse këto ndeshje i luan në udhëtim. Është shumë e shpejtë në kundërsulme dhe ndëshkon kundërshtarin në gabimin më të vogël”, është shprehur Firat, të martën.

“Pra, jo vetëm në plejof, por edhe në Evropian, Kosova do të bëjë një punë fantastike dhe do të ketë paraqitje të mira, sepse ka ekip të kompletuar. Për futbollin modern, mund të them se Kosova i ka lojtarët e duhur për ta bërë hapin e radhës, që është kualifikimi në Evropian”.

Firat thotë se e njeh shumë mirë përfaqësuesen e Kosovës, kundërshtaren e parë të Moldavisë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Ai pranon se Kosova është favorite për këtë ndeshje, por premton shfaqje të mirë të ekipit moldav.

“Kosova është një ekip shumë i fortë dhe për këtë arsye, nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Duhet të gjejmë një mënyrë për të ndalur repartin ofensiv të Kosovës që është shumë i shpejtë dhe efektiv. Në këtë situatë, këtë ndeshje e shoh më shumë si një test të mirë për lojtarët e rinj dhe sistemin tonë të lojës ndaj kundërshtarëve që i kemi në grup, përfshirë këtu edhe Slloveninë e Greqinë”, u shpreh Firat. “E njoh shumë mirë Kosovën, që në radhët e veta ka shumë lojtarë të mirë. Do të veçoja Zenelin, Rashicën, Nuhiu është i mirë, pastaj Celinën e Berishën. Pothuajse në çdo repart, Kosova ka lojtarë të mirë dhe nuk e ka problem të bëjë zëvendësime në çdo situatë, pa e humbur cilësinë, sepse në çdo pozitë minimumi ka dy apo tre lojtarë. Lojtarin e vetëm që nuk mund ta zëvendësojë, mendoj se është kapiteni Amir Rrahmani, që është një lojtar i nivelit shumë të lartë dhe është i vetmi i pazëvendësueshëm. Vetëm nëse Rrahmani do të mungonte, Kosova mund të ketë probleme, sepse në pozitat e tjera i ka ndërrimet e duhura”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme