Sensacioni Inoue mposht Donairen dhe firmos me “Top Rank”

Prishtinë | 08 Nën 2019 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Ishte ditë e madhe për Naoya Inouen, kampionin e botës në peshën bantam në versionet IBF dhe WBA, dhe ndoshta një që do ta shpallë boksier të vitit 2019.

Inoue mposhti filipinasin Nonito Donaire në një betejë të madhe, për të triumfuar në finale të kategorisë bantam në turneun “World Boxing Super Series” dhe njëherësh për të fituar trofeun “Muhammad Ali”. Menjëherë pas meçit të së enjtes firmosi marrëveshje me kompaninë e madhe promovuese “Top Rank”.

Presidenti i “Top Rank”, Todd duBoef, që ishte në Saitama të Japonisë për të shikuar fitoren e Inoues me vendim unanim ndaj Donairet, ka thënë se planifikon që japonezit t’ia aranzhojë një luftë në platformën ESPN në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan “Yahoo Sports”, transmeton “Koha Ditore”. Plani fillestar ishte një meç në mars, por japonezi Inoue mori një lëndim në syrin e djathtë në raundin e dytë të përballjes me Donairen, dhe kjo datë është në dyshim.

Inoue gjithsesi është një arritje e madhe nga “Top Rank”. Ai është një luftëtar karizmatik dhe mjaft entuziazmues, që shfaqet si artist i nokauteve dhe po ashtu si shoumen. Ai ka bilanc prej 19 fitoresh në po aq meçe, 16 prej tyre me nokaut. Të enjten ndaj Donairet fitoi me 116:111, 114:113 dhe 117:109.

Duke folur pas ndeshjes, DuBoef ka thënë se Inoue mund të arrijë sukseset në SHBA që arriti filipinasi Manny Pacquiao, që është boksieri i vetëm që ka fituar tituj bote në tetë kategori të ndryshme.

“Ai më rikujton një video-lojë, kur tërhiqet prapa dhe më pas jep goditje të fuqishme. Është shumë telegjenik. Është në radarin tonë për shumë kohë. Kemi kërkuar atë gjatë, por donim të prisnim deri në fund të World Boxing Super Series. Mendoj se ai mund të jetë një yll i madh në SHBA. Manny Pacquiao erdhi në SHBA dhe nuk fliste fare anglisht, por ishte një luftëtar entuziazmues me shpejtësi, fuqi dhe personalitet. Nofka e Naoyas, ‘Bisha’ është perfekte. Ai është një pako totale”, ka thënë DuBoef.

Japonezi e tregoi këtë në ring. Por ndonëse ishte pritur që përballja të përfundonte shpejt me Donairen, ajo shkoi në të gjitha raundet.

Kështu mori fund seria e tij prej tetë fitoresh rresht me nokaut. Inoue 26-vjeçar ka fituar tituj bote në kategoritë gjysmë-mizë, super-mizë dhe bantam.

Menjëherë pas ndeshjes me Donairen, ai ftoi për një duel francezin Nordine Oubaali, kampionin e versionit WBC në peshën bantam. Më herët të enjten në Saitama, Oubaali mbrojti titullin duke mposhtur me vendim unanim vëllain e vogël të Naoyas, Takuma Inouen.

Oubaali e pranoi këtë ftesë për meç me japonezin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme