Sërish interesim i madh për ndeshjen e Kosovës

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Akoma pa nisur shitja e biletave për ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Maltës, qytetarë të shumtë janë mbledhur para pikave të shitjes për t’u pajisur me bileta.

Teksa Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se biletat nisin të shiten sot me fillim prej orës 17:00, qytetarët janë duke pritur në radhë me orë të tëra për të blerë biletën për të parë ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve.

Kosova takohet me Maltën të enjten me fillim prej orës 20:45 në kuadër të ndeshjes së tretë në Grupin C të Ligës D.

Biletat edhe kësaj here do të kushtojnë nga 2 euro për tribunat në veri dhe jug, pastaj 3 euro për tribunën në lindje dhe 5 e 10 euro për tribunën në perëndim. Biletat VIP do të kushtojnë nga 50 euro.

FFK-ja ka njoftuar se këtë herë nuk do të lejojë shitjen e më shumë se pesë biletave për një person. Interesim të madh për Kosovën pati edhe në ndeshjen e shkuar si vendas ndaj Ishujve Faroe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme