Sfida të vështira për kryesuesit e Superligës

Prishtinë | 30 Pri 2021 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Ballkani, Prishtina e Drita nuk kanë më vend për gabime nëse duan ta ndjekin titullin e kampionit në Superligën e futbollit

Tri skuadrat pretendente për titull të kampionit do të kenë punë të vështirë në xhiron e 32-të të Superligës së futbollit, e cila do të luhet në fundjavë.

Pas rezultateve të mesjavës liga elitare u bë edhe më interesante pasi Ballkani, Prishtina e Drita nuk kanë qenë asnjëherë më afër njëra-tjetrës në tabelë.

Lideri nga Suhareka s’do të ketë punë aspak të lehtë në vizitën që do t’ia bëjë Drenicës.

Kuqezinjtë kanë nevojë për pikë për t’i ikur zonës që çon në Ligën e Parë.

Prandaj, ata do të mundohen t’i mbajnë pikët në shtëpi, shkruan Gazeta Express.

Por, për pikët iu duhen edhe therandasve për ta ruajtur primatin në Superligë.

As Prishtina s’do ta ketë të lehtë këtë fundjavë.

Bardhekaltrit do ta vizitojnë Llapin, i cili nuk iu la kujtime të mira në Kupën e Kosovës.

Sidoqoftë, kryeqytetasit do të mundohen ta vazhdojnë serinë pozitive në kampionat dhe të mbesin në garë për titull.

Kurse, Drita do ta presë Feronikelin. Pas dy dështimeve të fundit, gjilanasit e synojnë këndelljen.

Por, përballë do ta kenë një ekip të papërshtatshëm, i cili mund t’i prishë punë çdo kundërshtari.

Në duelet tjera, Trepça ’89 dhe Arbëria e kanë të domosdoshme fitoren përballë Besës dhe Gjilanit.

Të ngjashme