Sfidat më të mëdha të Kosovës vijnë para ndeshjeve më të mëdha

Prishtinë | 05 Sht 2019 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Në secilin grumbullim përzgjedhësi Bernard Challandes është përballur me mungesë të ndonjë lojtari të rëndësishëm e po ashtu me situatat jo të mira të lojtarëve të caktuar në klubet e tyre.

Por si asnjëherë më parë, Challandes para ndeshjeve me Çekinë dhe Anglinë po përballet me sfidë të madhe, me mungesën e plot pesë lojtarëve, titullarë të padiskutueshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Për shumëkënd Arbër Zeneli e Milot Rashica janë dy lojtarët më të mirë të Kosovës. Mbulojnë krahët e sulmit, luajnë në topliga evropiane e po ashtu janë në ngritje të vazhdueshme. Të dy mungojnë ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Po ashtu mungojnë dy mesfushorët e qendrës, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala. Kryeziu luan në Zuerich të Zvicrës, ndërsa te Kosova vlerësohet prej lojtarëve më stabilë. Ka pasur pak raste kur performanca e tij me fanellë të Kosovës nuk ka marrë vlerësime maksimale, apo të paktën të larta. Shala në nivel klubesh luan në një ligë pak më inferiore, në Norvegji. Por te Kosova po ashtu është shquar për stabilitetin dhe konsistencën.

Me Kryeziun ka përbërë një dyshe të fuqishme të pjesës defansive të mesfushës. I pesti lojtar që mungon ndaj Çekisë dhe Anglisë është Benjamin Kololli.

Të ngjashme