Shala: Arkani na tregoi dy pistoleta para ndeshjes

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Ish-futbollisti i Dinamos së Zagrebit, Kujtim Shala, ka treguar detaje të reja rreth ndeshjes së 13 majit të vitit 1990 në Maksimir mes Dinamos dhe Cërvena Zvezdës, ndeshje që thuhet  se shënoi fillimin e fundit të Jugosllavisë.

Shala ishte i suspenduar në atë ndeshje të zhvilluar 30 vjet më parë dhe thotë se është falënderues që nuk ishte në fushë. Ndeshja ishte ndërprerë shkaku i trazirave të tifozëve. Veçanërisht e famshme u bë skena kur lojtari i Dinamos, Zvonimir Boban, e goditi një milic.

“Ajo ndeshje ishte fillimi i përfundimit të Jugosllavisë. Është historike sepse Delijet, me ndihmën e milicisë, morën pjesë në shkeljen e krenarisë kroate. Sinqerisht, unë ndjeva edhe para arritjes në stadium që ndeshja nuk do të luhej sepse trazirat filluan shumë herët dhe pati tension”, ka thënë Shala përcjell “24 Sata”. “Faleminderit Zotit që atëherë nuk isha në fushë. Ndonjëherë pyes veten se si do të reagoja nëse një milic do të më godiste me shkop, siç e goditi Zvonimir Bobanin. Pashë edhe si Zvone, ndërsa shpëtoi kushëririn e tij nga milicia brutale, u godit në kokë dhe në shpinë, dhe sigurisht e pash edhe sulmin e tij ndaj milicit. Më vonë, dëgjova se ai milici ishte gati ta qëllonte Bobanin për shkak të kësaj dhe kur mendoj për këtë, dridhem”.

Futbollisti legjendar kosovar tregon edhe për takimin e pakëndshëm me delegacionin e Cërvena Zvezdës në tunel para fillimit të ndeshjes.

“Unë isha si mysafir në programin e radios së Tomiqit dhe mbaj në mend që takova në tunel delegacionin e Zvezdës në të cilën ishte edhe Zheljko Razhnatoviq Arkan. Më besoni, nuk isha rahat kur Arkani na tregoi se mbante dy pistoleta nën xhaketën e tij. Nuk do ta harrojë kurrë atë skenë”.

Të ngjashme