Shala përfaqëson Kosovën në garën “Red Bull Paper Wings”

Prishtinë | 21 Mar 2019 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Dren Shala do ta përfaqësoj Kosovën në finalen e madhe të “aeroplanëve prej letre” që do të mbahet në Hangar 7 të Austrisë më 16-19 maj nën ombrellën e Red Bullit.

Shala të mërkurën ishte më i miri në finalen kombëtare të Kosovës që u mbajt në palestrën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë, transmeton Koha Ditore.

Në këtë finale morën pjesë tetë finalistët më të mirë, të cilët ishin kualifikuar nëpërmjet kualifikimeve që u mbajtën javë më parë.

Shala doli fitues në dy kategoritë e kësaj gare: Distancë dhe Qëndrim në ajër. Kjo ishte gara e katërt që u mbajt në Kosovë, pasi tri të parat janë mbajtur në vitin 2009, 2012 e 2015. Këtë vit, u paraqitën rreth 200 garues, por që në fund Shala ishte më i miri me aeroplanin e tij prej letre.

Garuesit kanë patur vetëm një copë letër A4 dhe prej asaj është dashur të palosin aeroplanin, të cilin pastaj do ta lëshonin në njërën prej dy kategorive.

Në finalen e madhe që do të mbahet në Austri, Kosova do të jetë njëra prej 80 shteteve pjesëmarrëse.

“Red Bull Paper Wings” është njëra prej garave më atraktive që organizohet nga gjiganti i pijeve energjike.

Të ngjashme