Shaqiri assesi të kthehet në rrugën e duhur

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Nuk kanë të ndalur telashet për Xherdan Shaqirin. Pas problemeve të shumta me lëndime te Liverpooli, sulmuesi i krahut tani do të përballet edhe me koronavirus.

Shaqiri ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Zvicrës, te e cila ishte kthyer pas më shumë se një viti. Federata e Futbollit të Zvicrës ka njoftuar të martën se Shaqiri nuk do të mund t’i ndihmojë ekipit në ndeshjet e këtij muaji për shkak se tashmë është izoluar pasi ka dalë pozitiv në testin e kryer për koronavirus.

Shkaku i prekjes me COVID-19, Shaqiri është i detyruar të izolohet për dy javë përpara se të rikthehet te Liverpooli, ekip që tashmë ka dy lojtarë të infektuar. Si pasojë e infektimit, Shaqiri nuk ka mundur të paraqitet në konferencën për shtyp përkrah përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviq, në prag të ndeshjes miqësore me Kroacinë që do të luhet të mërkurën (sot) prej orës 20:45. Krahas miqësores me Kroacinë, Zvicra do t’i luajë edhe dy ndeshje gjatë këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve. Do të përballet në udhëtim me Spanjën (10 tetor) dhe Gjermaninë (13 tetor). Te Zvicra për këto ndeshje janë ftuar edhe kapiteni Granit Xhaka e sulmuesi Admir Mehmedi.

“Pas konsultimeve me autoritetet zvicerane, Xherdan Shaqiri është futur në izolim pasi ka dalë pozitiv me koronavirus. Ai është mirë me shëndet, por nuk do të mund të jetë pjesë e ekipit për ndeshjet e këtij muaji”, ka thënë mjeku i Përfaqësueses së Zvicrës, Martin Malick.

Në fakt te Zvicra i janë gëzuar kthimit të Shaqirit në ekip pas një periudhe të gjatë. Herën e fundit Shaqiri ishte pjesë e Zvicrës në qershor të vitit të shkuar dhe që nga ajo periudhë ai nuk ka mundur t’u përgjigjej ftesave të përzgjedhësit Petkoviq për shkak të lëndimeve që kishte te Liverpooli. Shaqiri në vitin 2010 ka debutuar te Zvicra dhe deri më tani ka realizuar 22 gola në 82 paraqitje.

28-vjeçari ishte ftuar te Zvicra për duelet e këtij muaji përkundër që e ardhmja e tij te ekipi anglez ishte në dyshim deri në mbylljen e afatit kalimtar. Madje ai në tri ndeshjet e fundit nuk ishte fare në formacionin e trajnerit Juergen Klopp, i cili gjithashtu kishte lënë të hapur mundësinë e largimit të kosovarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme