Shaqiri: Dy golat ndaj Unitedit nuk do t’i harroj kurrë

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Xherdan Shaqiri ka lënë gjurmë të mëdha stinorin e kaluar te Liverpooli, që ishte i pari i tij me klubin e madh anglez.

Ai ndër të tjera realizoi dy gola në derbin ndaj Manchester Unitedit, që Liverpooli e fitoi me rezultatin 3:1. Ai ishte aktivizuar nga banka rezervë në pjesën e dytë në atë ndeshje. Shaqiri thotë se është një ndeshje që nuk do ta harrojë kurrë.

“Ishte ndeshje e veçantë, derbi i madh”, ka thënë për fitoren ndaj Unitedit. “Unë u inkuadrova si zëvendësues dhe me rëndësi ishte të ndihmoja bashkëlojtarët të fitonin ndeshjen. Po, me dy golat e mi fituam ndeshjen në fund, një derbi të madh. Kështu që nuk do ta harrojë kurrë këtë moment”, ka thënë Shaqiri, derisa i është përgjigjur tifozëve në pyetjet që i kanë bërë në faqen zyrtare të klubit.

Shaqiri po ashtu ka folur edhe për triumfin në Ligën e Kampionëve stinorin e kaluar, veçanërisht fitoren 4:0 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Barcelonës.

“Ishte ndjenjë e jashtëzakonshme”, ka thënë për fitoren në gjysmëfinale ndaj Barcelonës. “Ishte shumë emocionale, të festonim së bashku me tifozët fitoren e madhe. Fitimi i Ligës së Kampionëve është arritje e jashtëzakonshme. Emocione të pabesueshme kur e ngrit këtë trofe të madh. Unë e kam fituar dy herë dhe jam krenar me këtë. Është ndjenjë e jashtëzakonshme, veçanërisht kur festuam vitin e kaluar me tifozët në rrugë”.

Shaqiri e ka fituar më herët Ligën e Kampionëve edhe me Bayern Muenchenin. Ai po pritet të largohet nga Liverpooli këtë verë.

Të ngjashme