Shevchenko: Jam shumë i lumtur për golat dhe për ekipin

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 10:58 | Nga

Trajneri i Kombëtares së Ukrainës, Andriy Shevchenko, udhëhoqi të verdhët dhe ndëshkoi Kombëtaren e Shqipërisë me një humbje të thellë 4-1, në miqësoren e zhvilluar në Evian të Francës.

Një “shuplakë” ndaj Shqipërisë por edhe ndaj mikut të tij, Christian Panucci, në cilësinë e trajnerit të kuqezinjve, por Shevchenko i gëzohet rezultatit, golave dhe lojës së Ukrainës.

“Pavarësisht përfundimit të kampionateve dhe kohës së pakët për t’u rikuperuar, i kërkova ekipit që të merrte një rezultat pozitiv dhe tashmë duhet të presim ndeshjet zyrtare. Ndeshje për ndeshje po përmirësohemi dhe kjo u reflektua në fushë. Jam shumë i lumtur për golat dhe për ekipin”.

Ai ka folur edhe për gabimet e ekipit të tij duke treguar edhe se çfarë pret në ndeshjet e ardhshme, shkruan Albeu.

“Në një episod gabuam në mbrojtje duke lënë hapësira të lira, çka i dha mundësinë lojtarit kundërshtar të godiste në mënyrë të rrezikshme. Nuk është se u krijuan shumë raste të rrezikshme në portën tonë. Pjesa e parë ishte pozitive, ndërsa në të dytën kontrolluam topin. Ishte një provë e mirë që jep besim psikologjik para ndeshjeve të ardhshme”.

“Në vjeshtë presim ndeshje serioze. Më e rëndësishmja për mua do të jenë ndeshjet zyrtare në shtator. Ndeshjet miqësore janë të nevojshme për t’u përgatitur për ndeshje të tilla. Ishte e rëndësishme për mua të shihja se si lojtarët bashkëpunojnë me partnerët e tyre dhe kuptojnë pozicionin e tyre në fushë, duke formuar strukturën e lojës”,  u shpreh trajneri ukrainas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme