Shevchenko po shkëlqen edhe si trajner

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Andriy Shevchenko gëzoi një karrierë të shquar si sulmuesi më i madh i Ukrainës. Tani si seleksionues i Ukrainës, Shevchenko ka shijuar suksesin e parë, atë të kualifikimit në “Euro 2020”.

Ish-ylli i Dynamo Kievit dhe Milanit, i njohur me nofkën Sheva, ka marrë drejtimin e Ukrainës në korrik të vitit 2016. Ky ishte roli i parë i Shevchenkos në zejen e trajnerit. Nën urdhrat e tij, Ukraina nuk arriti të kualifikohej në botërorin “Rusia 2018”, pasi në ndeshjen e fundit eliminatore pësoi humbje në shtëpi nga Kroacia.

Pas këtij zhgënjimi të përgjithshëm të ukrainasve, Shevchenko pati premtuar se këtë dështim do ta kompensojë me kualifikim në “Euro 2020”. Dhe, në fakt, këtë e realizoi të hënën mbrëma, me fitoren 2:1 në shtëpi ndaj Portugalisë. Me këtë fitore, Ukraina i prin Grupit B me 19 pikë pas shtatë ndeshjeve.

“E kam realizuar vetëm gjysmën e projektit të premtuar pas moskualifikimit në botëror. Ne tashmë jemi kualifikuar në evropian, por atje duam të kemi paraqitje dhe rezultate të mira. Jam shumë i lumtur që kemi siguruar kualifikimin para të tjerëve dhe tani do të jemi të qetë për të punuar në idetë e tjera që i kemi, përpara se të luajmë në evropian”, është shprehur Shevchenko.

Shevchenko duket se ka vendosur ekuilibër në ekip mes lojtarëve të rinj të talentuar dhe atyre me përvojë, siç janë sulmuesi i West Hamit, Andriy Yarmolenko dhe ai i Shakhtarit, Yevgen Komoplyanka.

Shevchenkos iu besua posti i seleksionuesit pas largimit të Mykhaylo Fomenkos, që dha dorëheqjen pas eliminimit në fazën e grupeve të “Euro 2016” pa e shënuar asnjë gol.

Të ngjashme