Shkarkimi i trajnerit nxit largimin e kryetarit dhe të disa aksionarëve të Llapit

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Bylbyl Sokoli është larguar nga posti i trajnerit te Llapi, pa dëshirën e tij dhe të shumë prej anëtarëve udhëheqës të skuadrës, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj, largimi i tij ka nxitur një valë largimesh dhe shprehje të pakënaqësive te skuadra e Llapit. Kryetari i Llapit, Nexhat Dumnica, ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë pas tij edhe Afrim Ajeti, njëri prej aksionarëve të klubit.

Dumnica nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth largimit të tij, por ka thënë se kujtdo që i interesojnë arsyet, ato mund t’i gjejë në profilin e tij. Ai ka dhënë një deklaratë pas dorëheqjes.

“Duke e parë këtë atmosferë, e cila kaloi përtej sportivitetit, si rasti i sulmit ndaj prof. Bylbyl Sokolit, e cila po mbretëron që nga fillimi i kampionatit dhe ku nuk na u dha mundësia të japim kontributin tonë sipas planit të paraparë, unë jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet në KF Llapi dhe lëshoj rrugë për ata që kanë vizion, ide, aftësi menaxheriale – sportive e financiare për ta çuar klubin përpara”, thuhet, ndër të tjera, në postimin e Dumnicës. “Kontributin dhe ndihmën time ndaj vendlindjes dhe qytetit të Podujevës do ta vazhdoj në forma të ndryshme”.

Gazeta ka kontaktuar me lojtarë, anëtarë stafi, persona zyrtarë dhe që të gjithë konfirmojnë se situata është larg së mirës.

Një tjetër zyrtar i lartë i dorëhequr pas Dumnicës është Afrim Ajeti. Ai ishte anëtar i Bordit dhe njëri prej aksionarëve. Ai ka folur e akuzuar një zyrtar, që sipas tij po e prish klubin, por nuk ka përmendur emër. Sipas tij, edhe largimi i Sokolit lidhet me të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme