Shkëndija bën hap tjetër drejt titullit, fitojnë edhe Shkupi, Struga e Renova

Prishtinë | 18 Pri 2021 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ndikimi i skuadrave shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, sa shkon e rritet. Kjo fundjavë vetëm e dëshmon këtë. Të gjitha katër skuadrat shqiptarë në Ligën e Parë të vendit fqinj i kanë fituar ndeshjet e xhiros së 28-të.

Dhe tri prej katër skuadrave të kreut të tabelës janë shqiptare.

Shkëndija e Tetovës shquhet natyrisht. Klubi tetovar duket i pandalshëm në rrugëtimin për të fituar titullin e kampionit, të katërtin në histori.

Shkëndija të dielën fitoi bindshëm, 3:0 në udhëtim ndaj Belasicës për t’u forcuar tutje në vendin e parë në tabelë. Shkëndija tani i ka 65 pikë, plot 13 më shumë se përcjellësi i parë, Shkupi.

Rubin Hebaj shënoi golin e parë të Shkëndijës. Për 2:0 realizoi Valmir Nafiu, ndërsa Kamer Qaka shënoi në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar.

Për Shkëndijën ishte fitorja e gjashtë rresht, ndërsa ka mbetur vetëm që të konfirmohet titulli i kampionit për tetovarët. Shkëndija ka fituar titullin e kampionit edhe në vitin 2011 e po ashtu në vitet 2018 e 2019.

Fitore në udhëtim shënoi edhe Shkupi. Skuadra shkupjane fitoi 1:0 ndaj Borecit me golin e Netos. Shkupi as këtë edicion nuk ia doli të rivalizojë Shkëndijën në garën për titull të kampionit, por qëndron dukshëm më mirë se skuadrat tjera.

Struga po konfirmohet si skuadër e pjesës së epërme dhe me synime gjithnjë e më të mëdha. Struganët të dielën fituan 3:0 në shtëpi ndaj Pelisterit. Emir Skenderi, Marjan Altiparmakovski dhe Flamur Tairi shënuan për fitoren e thellë.

Struga është e katërta me 44 pikë. Ndërkohë Renova të shtunën mori pikë jetike në garën për mbetje në elitë. Fitoi 2:1 ndaj Sileksit me golat e Shefit Shefitit dhe Faton Jusufit. Renova tani është e nënta me 31 pikë, dy më shumë se Sileksi dhe tri më shumë se Vardari që është i parafundit. Dy pozitat e fundit dërgojnë në kategorinë e dytë, ndërsa pozitat nëntë e dhjetë në barazh. Renova e Tetovës synon vendin e tetë që siguron mbetjen në elitë. Aktualisht i teti është Boreci me 33 pikë.

Deri në fund të edicionit janë edhe pesë xhiro. Me shumë mundësi tri skuadra shqiptare do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në garat evropiane edicionin e ardhshëm. Shkëndija do të luajë në Champions.

Të ngjashme