Shkëndija përforcohet me Zeni Husmanin

Prishtinë | 20 Jan 2019 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Shkëndija ka konfirmuar se ka transferuar mesfushorin Zeni Husmani.

“Mesfushori defanziv firmos deri në verë të vitit 2021, ndërsa do të luajë për herë të parë në Maqedoni pas eksperiencave në Kroaci, Slloveni e Turqi. KF Shkëndija më kënaqësi komunikon marrëveshjen me mesfushorin defanziv, Zeni Husmani. 28 vjeçari dhe kryesia kanë gjetur akord për bashkëpunim dhe gostivarasi ka hedhur firmën në kontratën që e mban kuqezi deri verën e vitit 2021”, thuhet në konfirmimin e klubit tetovar.

Bëhet fjalë për futbollist cilësor dhe me eksperiencë, me drejtuesit e klubit që kanë shfrytëzuar situatën e tij me klubet paraprake duke e afruar në skuadër. Ditëve në vijim pritet zgjidhja e disa barrierave administrative, bëhet e ditur më tutje. Husmani sezonin aktual e nisi me Domzalen në Slloveni para se të kalonte në Turqi te Giresunspor.

Zeni Husmani ka lindur në Çegran të Gostivarit dhe në moshë shumë të re është transferuar në Kroaci. Si profesionist u promovua te skuadra e Shibenik-ut, para se të kalonte në Slloveni ku për shtatë sezone ishte pjesë e Domzales. Është paraqitur me përfaqësuesen e re të Maqedonisë, ndërsa Shkëndija e sjell për herë të parë të luajë në futbollin maqedonas.

Pas Agim Ibraimit, Zeni Husmani bëhet afrimi i dytë i Shkëndijës në afatin kalimtar të janarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme