Shkollat e futbollit paralajmërojnë protesta

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Grupi i përfaqësuesve të shkollave të futbollit të Ligës Rajonale të Futbollit të Prishtinës i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës se nëse deri më 7 gusht nuk do t’ua lejojnë zhvillimin e aktiviteteve për grupmoshat e reja, do të ketë protesta.

Paralajmërimi për protesta është dhënë pas takimit që përfaqësuesit e shkollave të futbollit e kanë pasur të martën në zyrën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Qeveria e vendit me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës ua ka ndaluar stërvitjet shkollave të futbollit.

“Unanimisht, është vendosur që deri të premten, 7 gusht, të pritet një përgjigje pozitive për lejim të rifillimit të stërvitjeve për grupmoshat e reja. Në koordinim edhe me lidhjet tjera rajonale të Kosovës, përfaqësuesit e shkollave vendosën që pas kësaj date t’i radikalizojnë veprimet e tyre dhe nëpërmjet protestave t’i shfaqin pakënaqësitë mbi vendimin e ngutshëm”, shkruan në komunikatën e përfaqësuesve të shkollave të futbollit të LRFP-së, i mbështetur edhe nga lidhjet rajonale të qyteteve të tjera të Kosovës.

Të ngjashme