Shkollë skandinave në përfaqësuesen e Kosovës

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Në fundjavë Federata e Hendbollit të Kosovës njoftoi që Njoma Zogaj do të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës. 20-vjecarja ka sanuar një lëndim që e ka mbajtur jashtë hendbollit për një vit e gjysmë, ndërsa është promovuar në ekipin e parë të klubit danez Aalborg.

Me Aalborgun do të garojë në edicionin e ardhshëm në kategorinë e dytë daneze, ku karrierë bëjnë edhe kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj dhe motrat Marigona e Arlinda Hajdari. Kështu ndikimi i hendbollit skandinav në përfaqësuesen e Kosovës vetëm është rritur edhe më shumë. Ka kohë që hendbollistet që bëjnë karrierë në Danimarkë, Norvegji e Suedi, janë bartëse të lojës së Kosovës.

Lojtaret nga vendet e Skandinavisë vlerësohen më cilësoret te Kosova, ndërsa numri i tyre po shkon duke u rritur. Në verë të vitit të kaluar me Kosovën ishte bashkuar Albana Arifi, që ka suksese të shumta me të rejat e Suedisë, ndërsa në fund të vitit motrat Hajdari.

Me Njoma Zogajn, Danimarka aktualisht jep numrin më të madh të lojtareve për Kosovën. Në Danimarkë hendbolli i femrave vlerësohet shumë i zhvilluar, njëjtë si në Norvegji e Suedi. Në Norvegji bëjnë karrierën Dorentina Osmani, Mirela Gjikokaj e Veronika Kastrati, kurse në Suedi luan Albana Arifi. Në të vërtetë në grupmoshat e reja të Kosovës ka edhe shumë lojtare tjera nga vendet Skandinave, kryesisht nga Norvegjia. Dhe numri I tyre do të rritet, vlerëson kapitenia Leonora Demaj. Me ardhjen e saj te Kosova është rritur dukshëm niveli i përfaqësueses. “Besoj që është mirë të kemi lojtare nga Skandinavia, natyrisht së bashku me ato nga Kosova. Është një miksim I mirë dhe besoj që mundemi shumë gjëra të mësojmë prej njëra-tjetrës. Është mirë të bazohemi në lojën që luhet në Skandinavi, por duhet të mbajmë edhe disa gjëra nga Kosova, ku luhet ndryshe nga këtu. Kjo na bënë më të forta”, ka thënë Demaj për Koha.net.

Në përfaqësuese ftohen rregullisht nga disa lojtare të klubeve kosovare e po ashtu ka lojtare nga Zvicra, Gjermania, Sllovenia e Kroacia. Por aktualisht ndikimi i tyre nuk është në nivel me ndikimin e lojtareve nga Danimarka, Norvegjia e Suedia, ku ndër të tjera shkollimi për hendboll është i nivelit tjetër. “Besoj që numri do të rritet. Vajzat e reja do të joshen të bashkohen me Kosovën kur të shohin se në përfaqësuese ka numër të madh të lojtareve që bëjnë karrierë në Skandinavi. Po ashtu do t’i josh ngritja e zhvillimi i përfaqësueses që është evident. Lojtaret nga Skandinavia sjellin shpejtësi dhe cilësi të disa prej ligave më të forta në botë. Janë profesionale dhe e dinë punën që duhet ta bëjnë për të arritur në nivel më të lartë”, ka shtuar Demaj. Edhe Njoma Zogaj beson se do të jap kontribut për rritjen e nivelit të Kosovës. “Jam e gatshme të bashkohem me Kosovës. Ftesës do t’i them po pa asnjë dyshim. Me lojën time dhe me angazhimin, besoj se do të kontribuoja shumë për Kosovën”, ka thënë ajo.

Të ngjashme