Shoshi: Nuk do të jetë aspak i lehtë ballafaqimi me Lituaninë

Prishtinë | 22 Nën 2017 | 16:54 | Nga

Kosova është në prag të ndeshjeve të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Përfaqësuesja e Kosovës bën gara në Grupin C së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Lituanisë.

Me këtë të fundit basketbollistët tanë do të takohen të premten në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve të Prishtinës.

Para takimit ka folur, Lis Shoshi, i cili ka premtuar angazhim maksimal në sfidat e ardhshme.

“Të hënën kemi filluar me përgatitjet për dy ndeshjet e para të kualifikimeve, atmosfera është shumë e mirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarëve, por ne do të luajmë fortë dhe do të bëjmë më të mirën në fushë”.

“Nuk do të jetë aspak lehtë të përballemi me një superfuqi të basketbollit siç është Lituania, por ne shpresojmë se me ndihmën e shikuesve do t’ia dalim t’’u bëjmë ballë lituanëve. Jemi në formë të mirë, të gjithë basketbollistët kemi luajtur shumë ndeshje me ekipet tona, ndërsa tashmë e njohim mirë njëri-tjetrin dhe e tëra që na mbetet është të luajmë sa më mirë dhe t’i kënaqim të gjithë adhuruesit e basketbollit”, ka pohuar pejani.

Ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë do të zhvillohet më 24 nëntor me fillim nga ora 19:00.

Një ditë pas kësaj ndeshje, Kosova do të udhëtoj për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese. Ky takim do të luhet më 26 nëntor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme