Shpalosën banerin “Kosova është Serbi”, policia s’e konsideron provokim

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 21:52 | Nga

Skuadra e Twentes ka thënë se janë identifikuar personat që shpalosën në stadium banerin “Kosova është Serbi”, dhe atyre do t’i ndalohet hyrja në ndeshjet e ardhshme.

“Klubi është i distancuar nga ky akt, pasi që ky është një aksion i kryer nga disa individë të caktuar”, tha zëdhënësi i Twentes, Richard Peters.

Gjithashtu, edhe Policia e Holandës është duke u marrë me këtë rast. Por, policia duket se nuk do të marrë ndonjë masë ndaj dy tifozëve.

“Identifikimi i këtyre personave nuk ishte i lehtë, megjithatë nuk mendojmë se ky akt ishte provokativ”, thuhet në njoftim.

Banneri nxiti reagimin e Celinës

Bersant Celina nuk ishte as në fushë dhe as në stol në ndeshjen e Twentes kundër Feynoordit, por ai u bë “protagonist” në sfidën e humbur nga vendasit me rezultatin 0-2.

Mesfushori i Kosovës e ka ndjekur nga shkallët e stadiumit takimin. Në një moment, një grup tifozësh të Twentes kanë shpalosur në shkallët e stadiumit një banderolë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Celina ka ndërhyrë dhe ka kërkuar heqjen e banderolës dhe menjëherë më pas shërbimet e sigurisë në stadium kanë bërë të mundur palosjen e saj.

Mesfushori ka reaguar edhe përmes rrjeteve sociale. “Mos më keqkuptoni! Unë i dua fansat tanë. Kemi fansat më të mirë në këtë vend, por kam zero respekt për individët që bënë këtë veprim”, shkruan ai.

Rregullorja e UEFA-s ndalon rreptësisht shpalosjen e banderolave politike në shkallët e stadiumit dhe ndëshkimet për këtë janë gjoba të majme. FC Twente ndoshta mund t’i shpëtojë një gjobe të tillë, por vetë klubi ka reaguar duke thënë se ka nisur një hetim për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit e shpalosjes së banderolës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme